Pikëpyetjet mbi hapjen e negociatave në dhjetor, roli i Vllahutin dhe konçesioni që Rama pret nga BE në prag të zgjedhjeve

Postuar në 14 Nëntor, 2016 15:58

Nga tryeza e miqve të Shqipërisë që u mbajt në Bruksel fryu një erë pozitive për qeverinë Rama dhe optimizmi se në dhjetor krerët e Bashkimit Europian do të do të hapin dritën jeshile për hapjen e negociatave për anëtarësim. Ky optimizëm buron edhe nga raporti disi pozitiv që Shqipëria mori këtë vit nga Brukseli siç e konfirmoi edhe kryeministri në një prononcim për mediat.

“Me shumë kënaqësi dhe pse jo, edhe me krenari, dëgjuam fjalë shumë të mira realisht mbi një raport progresi që është një dokument voluminoz, shumë pozitiv për Shqipërinë. Dëgjuam gatishmërinë e të gjitha vendeve për ta mbështetur në Këshillin Europian të dhjetorit, rekomandimin e komisionit”-u shpreh Rama. Por kjo është njëra anë e medaljes ose thënë ndryshe optika me të cilën Tirana dëshiron ta shohë këtë proces.

A janë vërtet të gjitha vendet anëtare në një mendje për progresin e Shqipërisë? Greqia është një ndër vendet skeptike dhe këtë e ka shfaqur si me qëndrimet e zyrtarëve të saj por edhe me atë çka raportojnë nga burime qeveritare mediat e vendit fqinj për një veto në samitin e dhjetorit.

Lidhur me raportin pozitiv të Komisionit Europian për Shqipërinë në Athinë besohet se ky raport nuk ka më shumë lidhje me reformat sesa me tablonë që ka paraqitur në Bruksel ambasadorja e Bashkimit Europian në Tiranë, Romana Vllahutin. Tribunë.gr duke iu referuar burimeve nga Indipendet News Agency shkruan se "konfigurimi i tekstit të raportit të progresit është i lidhur me ambasadorin e BE-së në Tiranë, Romana Vlahutin, e cila vepron në mënyrë të njëanshme për palën shqiptare, në kontrast me atë që kërkohet nga legjislacioni evropian. Sipas gazetës disa njerëz janë duke u përpjekur për të "prishur" marrëdhëniet që janë ndërtuar mes Greqisë dhe Shqipërisë kohët e fundit, duke ofruar premtime të rreme për pranimin e Shqipërisë në BE, në këmbim të përfitimeve financiare". http://www.tribune.gr/blog/news/article/300138/poria-tis-alvanias-pros-tin-ee-pernai-apo-tin-ellada.html.

Nga ana tjetë dy ministrat e Jashtëm të Italisë e Austrisë flasin për një konsensus në gjirin e BE-së për të çelur negociatat pa përmendur kushtin e Vettingu-t, për të cilin kryeministri ynë është i vetëdijshëmm. “Sot në mëngjes patëm një takim të rëndësishëm  të kërkuar nga Italia e Austria, me kryeministrin shqiptar Edi Rama. Në këtë takim u konstatua konsensusi i të gjitha vendeve anëtare që Këshili i Europës t’i jap rrugë nisjes së negociatave të pranimit të Shqipërisë në BE”- ëshë shprehur Ministri i Jashtëm italian Xhentiloni. Megjithatë asgjë nuk është e sigurtë për të marrë çeljen e negociatave deri në dhjetor, të cilën kryeministri e quajti një fazë përgatitore.  

. Ai vetë do ta dëshironte një konçesion të tillë para zgjedhjeve për ta patur si kalë beteje në fushatën elektorale të vitit që vjen dhe për këtë duket se nuk vepron vetëm Zoti Rama, por edhe disa ministra të Bashkimit Evropian.

“Na duhet një periudhë përgatitore dhe për këtë ne e diskutuam, jo vetëm nga ana jonë, por edhe nga ana e Komisionit. Në momentin kur përgatitjet do të jenë përfunduar nga ana jonë dhe nga ana e Komisionit - sepse dhe Komisioni ka një proces të përgatitjes, siç ka bërë me vende të tjera përpara nesh, - do të hapen kapitujt e negociatave”-deklaroi kryemimnistri nga Brukseli. Megjithatë pikëpyetja është nëse Greqia do të avancojë me veto apo do të shtojë presionin pas hapjes së negociatave.

Vetë ministri i jashtëm Ditmir Bushati tha se “Incidentet e fundit me Greqinë nuk do të pengojnë hapjen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian” pas takimit me ministrin e Jashtëm grek, Nikos Kotzias.   http://www.tematv.al/2016/11/14/bushati-fola-me-kotzias-nuk-do-na-bllokojn%C3%AB-n%C3%AB-be-video.

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.