A do të tërhiqet SHBA nga Ballkani?

Postuar në 12 Nëntor, 2016 23:43

Daniel Serwer dhe Siniša Vuković, profesorë të menaxhimit të konfliketeve në Shkollën e Studimeve të Avancuara “Johns Hopkins” i kushtojnë një analizë të shkurtër situatës në Ballkan dhe perspektivës së rajonit me presidencën Trump. Shkrimi mban datën 8 nëntor, pra ditën e zgjedhjeve amerikanë dhe si mesazh kryesor ka domosdoshmërinë që SHBA të qëndrojë në këtë rajon.

Sipas këtyre dy autorëve kërcvënimi islamik nuk ekziston në Ballkan si parësor, një ndryshim ky krahasuar me pak muaj më parë, pasi në vend të parë aktualisht është Rusia. Në një kalim të shpejtë, shenjat e rrezikut rus shihen thuajse në çdo vend dhe ato mëtojnë të ndryshojnë orientimin gjeopolitik të rajonit.

Grushti i shtetit në Mal të Zi, ishte përpjekja më e fundit për të likujduar një qeveri pro – perëndimore, mbështetja për referendumin e kërkuar nga Republika Srpska shënon një përpjekje për të zhbërë Marrëveshjen e Dejtonit, investimet e forta në Serbi kundër Aleksander Vuçiç, përpjekja për destabilizimin e Maqedonisë, janë disa nga shfaqjet më të dukshme.

Instrumente të kësaj përpjekjeje të shumëpërfolur janë televizioni “Russia Today” dhe agjencia “Sputnik”, që shihen nga analistët amerikanë si bashkëpunëtorë të mediave ballkanike.

Një tjetër instrument është kisha dhe propaganda pansllavike, kapja e drejtimit të organeve të sigurisë dhe rigjallërimi i nacionalistëve.

Sugjerimi i këtyre dy autorëve konsiston në nevojën që Ballkani të vlerësohet për peshën strategjike të vetën në përballjen me Rusinë, për të mos lejuar largimin e vëmendjes tani që sfida të tjera si Kina, Lindja e Mesme etj., po shfaqen me të gjithë forcën e vet.

Investimi i 25 viteve të fundit në Ballkan, konsiderohet i suksesshëm sa kohë stabilizoi një rajon në konflikte kronike, por tërheqja dhe heqja dorë prej tij do të krijonte një boshllëk që do të mbushej patjetër nga Rusia.

Siç shihet administrata Trump ngjall pasiguri të mëdha edhe për vazhdimësinë gjeopolitike të SHBA-së e cila duhet thënë se kohët e fundit e ka ulur interesin për Ballkanin.

Çfarë do të bëjë administrata Trump? Kjo mbetet për t’u parë dhe do të shihet pikë së pari në Serbi, ku Vuçiç e ka thuajse të pamundur të mbijetojë pa mbështetjen e Perëndimit. Kthimi i Serbisë drejt Perëndimit, do të neutralizonte një shpresë të madhe për Kremlinin që sipas Serwer dhe Vuković, “po përpiqet që t’u ndryshojë ballkanasve mënyrën e të parit të botës”, duke nënvizuar kolapsin e BE-së dhe rënien e SHBA-së(http://foreignpolicy.com/2016/11/08/this-is-what-it-looks-like-when-russ...).

Ballkani ka qenë përherë mish për top dhe kjo provon vizionin dhe forcën e shteteve e të njerëzve të tij. Dikur, në fund të Luftës së Dytë Botërore, kufijtë e ndikimeve politike e ideologjike mbi të, u vendosën në një letër me shkrim dore të Çurcillit që merrte aprovimin e liderit sovjetik, Stalin. Ndoshta një marrëveshje të tillë kërkon sot edhe Putin, që me siguri mund të gjejë të presidenti Trump një person shumë praktik. Dhe një dokumentar i publikuar më 20 dhjetor 2015 titulluar "Rendi botëror", qartëson mirë optikën ruse(http://www.liveleak.com/view?i=cf6_1451260176). Fundja, dhe këtë duhet ta ngulisim njëherë e mirë në mendje, Ballkani as ka qenë, as është e me gjasë as do të jetë qendra e botës.

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.