Qurravitjet e një kryeministri si hall analistësh
Baton Haxhiu, gazetar nga Kosova dhe drejtues i emisionit “Zona e Debatit” jep një intervistë te gazeta “Mapo” përmes së cilës përpiqet të sqarojë diçka nga ajo që ndodhi gjatë intervistës së fundit të Edi Ramës në këtë emision. Gazetarë dhe analistë të Kosovës të ftuar për të pyetur kryeministrin shqiptar u vunë përballë një batareje fyerjesh, një sjelljeje shpërfillëse, që shkërmoq çdo kuadër etik të komunikimit. Shqipja ka një fjalë të urtë për këtë ndërhyrje të Baton Haxhiut, e cila mund të imagjinohet vetë. Haxhiu del në këtë intervistë si apologjet i kryeministrit të Shqipërisë, këtij njeriu që përkëdhel veten dhe ankohet se dikush po do t’i thyejë xhamat e shtëpisë. Ndoshta momenti më kulmor i kësaj mbrojtjeje të Edit dhe mendimeve të tij për median online, e përbën ky paragraf:
“Në një letër që botoi pas emisionit, Rama shpjegoi vetë qëndrimin që ka ndaj mediave, dhe u shpreh se analistët nga Kosova ishin shumë më të butë dhe më të sjellshëm se ata të Shqipërisë. Kjo nënkuptohet, besoj. Pse? Sepse, Rama nuk është Kryeministër i Kosovës. Dhe, ai në Kosovë nuk sulmohet për përditshmërinë shqiptare. Në Shqipëri është i linçuar dhe i dënuar me fjali që nuk thuhen në një botë normale publike. Nuk ka kësi fjalori në asnjë vend të botës. Rama mund të kritikohet, mund të shkruhet për të, bëmat e tij, mund të ashpërsohet gjuha e publikut kundër qeverisjes, por nuk mund t’i japim të drejtë vetes që ta gozhdojmë për shkak të mënyrës se si ai zgjedh të shprehet. Nuk ka mbetur asgjë pa u thënë. Dhe kjo ndodh për një arsye të vetme. Vendi është pa sistem të drejtësisë.
E fajin për këtë e kanë të gjithë, e shumë faj ka edhe vetë Rama me përqafimin e diskursit që lëndon dhe pasqyron realitetin e vrazhdë. Shqipërisë, para se t’i ndodhë çfarëdo reforme, një reformë që duhet të jetë e para është – REFORMA E GJUHËS. Parimisht, nuk shoh asgjë të keqe në kritikat ndaj punës së Kryeministrit, qoftë Rama, qoftë Mustafa… Por, çështje tjetër është të merituarit e kritikës dhe pastaj edhe e drejta e të kritikuarve që të përgjigjen. Personalisht, vlerësoj se gazetaria shqiptare andej e këndej kufirit ka shkarje të mëdha, pjesërisht edhe për faktin se shumica e portaleve botojnë pa asnjë ndërhyrje edhe komentet më denigruese. Kjo nuk e ndihmon, por e çorodit, debatin shoqëror”.
Në asnjë vend të botës normale nuk ka parashuta të tilla “analitike” që sfidojnë çdo raport të vizualizuar dhe perceptuar mes një kryeministri që është i frustruar nga media, që nuk jep asnjëherë përgjigje për akuzat për tendera e konçesionë, që mbron përpara drejtësisë ministra të përfolur e nën hetim parlamentar.
Përpara se të flitet për gjuhën në media, duhet të shqetësohemi për qeverisjen, e cila ka nxitur idenë se po baltoset për të zhvendosur fokusin e akuzave, zhvlerësimin e tyre. Z. Haxhiu e di shumë mirë se ishte ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja që pranoi vetë skandalin me check up para disa ditësh. Le të shfletojë akuzat e asaj medjeje që sot e quan anormale dhe do të shohë se këto akuza dhe dyshime janë ngritur që një vit më parë. Por asokohe u fol për mediat e baltës. A nuk ka më shumë rëndësi këtu zbërthimi i aktit korruptiv përpara se të shohim me merak se “mos na mërzitet Edi”? Dhe ky është vetëm një shembull.
Nuk ka analistë në botë që të marrin kaq hapur anën e interesit politik, madje tekave të një njeriu përballë interesit publik. Si puna e Haxhiut në Shqipëri ka plot, është mbushur ky vend me të tillë. E sërish nuk arrijnë ta kurojnë Edin, gjysma heroin e Beogradit, çunin e gravurave, ta kurojnë nga meraku, varësia patologjike ndaj mediave që e kritikojnë. Pa stil, siç “do ai”.
Le të na thotë z. Haxhiu: kur është hera e fundit që kryeministri i tij i preferuar ka dalë në debat me analistë në Shqipëri? Në një debat televiziv ku është i rregulluar kodi i komunikimit. Nuk mbahet mend. Dhe ka vetëm një arsye: ai nuk do të dëgjojë përballë pyetjet që nuk i pëlqejnë. Se nuk di çfarë të thotë. Kjo është shumë e qartë.
Le të shihet sesi Haxhiu, njeri i afërt me kryeministrin paralajmëron se problemi janë “miratimi i komenteve nga më denigrueset”. Dhe këtu dalim tek ai lajmi që na e dha vetë Rama: detyrimi me ligj i moderimit të komenteve. Po kur vallë komentet na u konsiderokan pjesë e gazetarisë që drejtojnë portale? Ai është reagimi i kurdisur ose spontan i njerëzve, disa prej të cilëve përdoren për të njëjtat punë nga Edi Rama dhe zyra e tij e shtypit. Këtë e dimë mirë të gjithë.
Nuk kanë shumë rëndësi fjalët e analistit të Kosovës përtej faktit se janë pikërisht këto lloj sjelljesh, që në vend se të kritikojnë gazetarinë, e sulmojnë atë duke nxjerrë përpara humorin e prishur të Edit, si hall mbarëkombëtar. Pra servirin qurravitjen e një kryeministri për të na thënë: kjo nuk është gazetari. Le ti ndalojnë pra komentet, që meqë ra fjala janë problem në çdo vend, e nuk janë "linçime made in Albania". Po faktin që këtë vend, Edi dhe të vetët po e çon në fund, këtë nuk ka ligj që ta ndalojë së qeni i vetmi fakt publik që ka konsensus.
Add new comment