Konferenca me FMN pa pyetje për gazetarët. Asnjë lëshim për ulje taksash, mund të rritet barra fiskale mbi naftën
Misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar mbylli diskutimet me qeverinë shqiptare për buxhetin e vitit të ardhshëm dhe paketën fiskale. Nga sa u bë publike në konferencën e përbashkët të ministrit të Financave, Arben Ahmetaj dhe përfaqësues së FMN-së Anita Tuladhar qeverisë i është kërkuar të rrisë të ardhurat mbi naftën dhe pronën, çka do të thotë se në rastin e parë mund të ketë një tjetër rritje të akcisës mbi karburantet, ndërsa në rastin e dytë performancë më të mirë në mbledhjen e taksës mbi pronën. Këtë e konfirmoi edhe Tuladhar në deklaratën e shkurtër për shtyp.
“Qeveria shqiptare është angazhuar për një paketë fiskale që përfshin rritjen e të ardhurave të lidhura me naftën, kufizimin e përjashtimeve tatimore dhe rritjen e mbulimit dhe fuqizimin e mbledhjes së tatimit mbi pronën.”-tha përfaqësuesja e FMN
Sipas saj qeveria do të realizojë edhe kursime permanente nga shpenzimet e buxhetit të vitit 2016, siç janë ato nga pozicionet e paplotësuara në administratën publike. FMN thotë se buxheti mundëson rritjen e moderuar të pagave të sektorit publik dhe pensioneve, duke e ruajtur nivelin e shpenzimeve për paga si përqindje e PBB-së në nivelin e vitit 2016.
Çuditërisht në konferencën me FMN nuk u pranuan pyetjet për gazetarët duke mos dhënë më shumë detaje për përmbajtjen e marrëveshjes.
Add new comment