Kandidatë apo megafonë të Ilir Metës, kujt i shërben farsa e zgjedhjeve në LSI?
LSI po përpiqet të kthejë në normë farsën demokratike të garës për kryetar të partisë. Në lojë janë përfshirë dy kandidatë që e dinë rolin e tyre në këtë shfaqje, e cila po i serviret publikut si standard i demokracisë së brendshme në parti. Të gjithë e dinë se LSI është Ilir Meta dhe Ilir Meta është LSI dhe çdo ambicje tjetër që shëtit në takime partiake të LSI-së është një fabul e stisur me regji dhe skenar të kryetarit Meta.
Megjithatë artikulimet e dh kandidatëve që synojnë t'i zënë vendin Ilir Metës nuk duhen anashkaluar sepse në thelb projektojnë objektivat e LSI-së në varësi të gjithë skenarëve që do të lindin pas zgjedhjeve parlamentare. Njëri prej tyre, Shezai Rrokaj tha në Korçë se LSI meriton të jetë parti e parë dhe të ketë më shumë pjesë në tortën e pushtetit. “Para se të mendojmë se me kë do të bëjmë koalicion, duhet të mendojmë si ta marrim vetëm pushtetin, duhet të mendojmë dhe të punojmë për të dalë forcë e parë. Gjithashtu, reforma e arsimit të lartë ka nevojë të rishikohet në bashkëpunim me institucionet e arsimit të lartë”, tha Rrokaj nënprani edhe të zv/kryetarit të LSI, Endrit Braimllari.
Ndërsa kandidati tjetër Përparim Spahiu u shpreh se "Në qeverisjen e sotme po shoh një përkujdesje për formën dhe jo për thelbin dhe zgjidhjen e gjërave më kryesore që është marrëdhënia e prodhimit me tregun. Politika e fasadave, e zbukurimeve dhe e bojatisjes nuk është dhe nuk jep zgjidhje”.
Mesazhe që shkojnë drejtëpërdrejtë për Partinë Socialiste dhe kryetarin e saj, Edi Rama dhe që nuk reflektojnë opinionin vetëm të dy kandidatëve formalë për kryetar të LSI-së, por frymën që mbizotëron në këtë parti në raport me PS dhe ambicjen e Ilir Metës për të rimarrë kryeministrinë ose në një skenar tjetër Psidencën e vendit. Morali politik që vjen nga LSI nuk duhet marrë seriozisht pavarësisht se kjo parti trumbeton se u qëndron marrëveshjeve, sipas parimit "dridhe Like". Ndaj dhe megafonët që Ilir Meta përdor për të shantazhuar kundërshtarin dhe manipuluar opinionin i shërbejnë vetëm farsës dhe lojës së LSI-së, por jo të ardhmes së vendit.
Add new comment