FMN: Tatimi progresiv dështoi, qeveria e paaftë të mbledhë taksat. Sugjerim për rritjen e tatmit mbi pagën
Ndryshimet e fundit në administratën tatimore dhe doganore janë rezultat i performancës së dobët në Tatime dhe Dogana. Qeveria vazhdon ta trajtojë këtë defiçencë në mbledhjen e të ardhurave si çështje emrash, por ajo që thotë FMN lidhet me dështimin e tatimit progresiv dhe normën e ulët të taksave.
Në një raport të fundit, Fondi Monetar Ndërkombëtar ka vënë në dukje se qeveria shqiptare nuk ka arritur të përmirësojë të ardhurat buxhetore, pavarësisht rritjes së taksave më 2014, duke e bërë Shqipërinë vendin me taksat më të larta në rajon dhe me rendimentin më të ulët fiskal.
Sipas FMN, në krahasim me shumicën e vendeve fqinje, mbledhja e taksave shqiptare është modeste për pjesën më të madhe të burimeve kryesore të të ardhurave. Në veçanti, të ardhurat nga taksa e pronës dhe mbi të gjitha nga kontributet e sigurimeve shoqërore janë dukshëm më të ulëta se në rajon.
Në krahasim me shtetet anëtare të BE-së, Shqipëria ka norma të larta për taksat personale dhe të korporatave raporton shqiptarja.com. Ndërsa pragu i tatimit me zero të pagave është mesatarisht më i lartë se i fqinjëve.
“Por, nga ana tjetër, efikasiteti i tatimit mbi të ardhurat i bazuar në një nivel më të lartë se mesatarja e rajonit po tregon se sistemi progresiv është më pak i efektshëm se sa regjimi taksës së sheshtë (efikasiteti i taksave është raporti i të ardhurave tatimore për çdo tatim në përqindje të PBB-së)”, thuhet në analizën e Fondit.
Të ardhurat e ulëta tatimore në Shqipëri janë pjesërisht pasojë e efikasitetit të ulët të taksave mbi pagat. Prandaj efikasiteti i taksave për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe tatimin mbi të ardhurat personale shihet të jetë më i ulët në Shqipëri sesa në vendet e tjera të Ballkanit.
Ekspertët e Fondit kanë konstatuar edhe se parashikimet e të ardhurave në Shqipëri karakterizohen nga gabime të mëdha. Mesatarisht gjatë tetë viteve të fundit, projeksionet e të ardhurave të buxhetit kanë qenë vazhdimisht shumë optimiste, me gati 2% të PBB-së. Gabimet në projeksione të Shqipërisë janë dukshëm më të larta se të fqinjëve.
Comments
Qeveria
Qeveria nuk eshte e paafte te mbledhe taksa.Qeveria nuk mund te taksoj veten. Zgjidhja e thjeshte : takso popullin e thjeshte.
Add new comment