Kap fundin popullariteti i Tsipras, 70% e atyre që e votuan janë të pakënaqur
Kryeministrit grek Aleksis Tsipras i është shtuar edhe një kokëçarje tjetër, teksa sondazhet e fundit paraqesin në mënyrë konstante një rënie drastike të popullaritetit të qeverisë. Sondazhi i kryer për llogari tw gazetws Avgi ka rezultuar se vetëm 14% e qytetarëve vlerësojnë si më të mirë një qeverisje të SYRIZA-s me grekët e Pavarur, siç është koalicioni aktual që drejtohet nga Aleksis Tsipras.
Në krahun tjetër, 45% e të anketuarve vlerësojnë se më e mirë për vendin do të ishte një qeveri e konservatorëve të Demokracisë së Re.Në kuota rekord, 90% ka rezultuar pakënaqësia e qytetarëve ndaj qeverisë Tsipras.
Ky i fundit ndodhet shumë mbrapa edhe në krahasim me rivalin e vet, shefin e opozitës Mitsotakis, kur shtrohet pyetja se cili konsiderohet kryeministër më i mirë. Ndërkaq, 32% e qytetarëve nuk preferon asnjerin prej të dyve. Të njëjtit tregues pak a shumë, ka nxjerrë edhe sondazhi që publikohet të martën në të përditshmen Kathimerini.
Sondazhi tregon që, në rast se zgjedhjet zhvilloheshin menjëherë, ato do të fitoheshin nga Demokracia e Re, me një diferencë prej 12,5% nga SYRIZA. Në një gjetje interesante, më shumë se 70% e atyre që votuan SYRIZA-n në zgjedhjet e vitit të kaluar, shprehen se janë të pakënaqur nga performanca e qeverisë. Ndërsa gati gjysma e votuesve të SYRIZA-s vlerësojnë se qeveria Tsipra-s nuk mund të ofrojë gjë për vendin.
I ardhur në pushtet me premtimin për t’i dhënë fund politikës së shtrëngesës, Aleksis Tsipras ka zbatuar masa edhe më të ashpra që burojnë nga marrëveshja e Greqisë me kreditorët. Pakënaqësisë masive ndaj këtyre masave i është shtuar edhe indinjata për reagimin drastik të autoriteteve ndaj protestuesve.
Në një akt që vlerësohet se kapërceu çdo cak, policia përdori gaz lotsjellës ndaj 1.500 pensionistëve që protestonin të hënën kundër reduktimeve të reja në pensionet e tyre. Policia përdori lëndët kimike dhe forcën, kur pensionistët tentuan ta zhvendosnin protestën e tyre para selisë së kryeministrit. Qeveria është përpjekur të nënvleftësojë gjetjet e sondazheve, duke i cilësuar si të paafta kompanitë e gallupeve.
Add new comment