“Referendumet në Ballkan, shpikje të atyre që luajnë me paqen dhe stabilitetin e rajonit”
Referendumi i mbajtur në Republikën Srpska, i përcjellë me heshtje miratuese nga Beogradi zyrtar duket se ka hapur një korridor për problemet e mbajtura deri më tani nën kontroll. Agjencia serbe e lajmeve, “B92”, citon ish-shefin e Agjencisë së Sigurisë Ushtarake Momir Stojanoviç, i cili gjatë një prononcimi për median ruse “Sputnik” ka kërkesa për referendum që vjen së fundmi nga Kosova, është pasojë e referendumit në Bosnje.
“Për shkak të referendumit të mbajtur së fundmi në Republikën Srpska, dikush u shkeli syrin shqiptarëve në Kosovë dhe u tha të ngrejnë këtë çështje. Është vetëm një nga çështjet që përdoret për të ushtruar presion shtesë ndaj Serbisë”, tha ai.
Sipas tij sinjali i ardhur nga Kosova me propozimin për bashkim me Shqipërinë synon të disiplinojë Beogradin dhe Banja Lukën dhe të demonstrojë se çdo gjë mund të ndodhë nëse Serbia do kërkojë të zgjidhë çështjen e vet nacionale në Ballkan.
Ish-zyrtari serb i sigurisë shton se e drejta për vetëvendosje nuk po u njihet vetëm serbëve, pasi të gjithë kombësitë nën ish-Jugosllavi e fituan të drejtën për të vetëvendosur. Në këto kushte Stojanoviç shpreh mendimin se edhe nëse referendumi për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë do të mbahet, Serbia nuk mundet të bëjë asgjë.
“Njerëzit në Ballkan apo edhe shtetet nuk kanë ndikim për atë që do ndodhë me ta. Nëse do të kishin ndikim, në Ballkan do të kishte paqe me kohë. Kërkesa për referendum nuk është shpikje e shqiptarëve të Kosovës, por e atyre që luajnë me stabilitetin dhe paqen në Ballkan. Është shpikje sidomos e ShBA-së dhe BE-së që marrin vendimet kyçe kur vjen puna te lëvizjet e shumë shteteve në Ballkan”, ka shtuar ish-zyrtari serb. Një lexim i situatës që e sheh Serbinë të izoluar dhe të keqtrajtuar nga Perëndimi, duke lënë si shteg vetëm bashkëpunimin me Rusinë.
Këto vlerësime vijnë ndërkohë që disa protesta të mbajtura në Beograd kanë konsoderuar nga kryeministri serb, Aleksander Vuçiç, si të qëllimshme dhe që synojnë rrëzimin e tij. Po kështu para disa ditësh u njoftua një vizitë e Vuçiç në shtabin e NATO-s, që është vijim i axhendës perëndimore të tij. Duket se këto zhvillime e kushtëzojnë kursin e Beogradit drejt Perëndimit sa kohë që kërkesat që vijnë nga kancelaritë europiane dhe SHBA lexohen si cedime në të drejtat thelbësore të Serbisë. A do t’u mbijetojë Vuçiç këtyre presioneve? Mbetet për t’u parë, por vëzhgimet që kanë dalë në sipërfaqe së fundmi edhe ne media amerikane si “The Washington Post” identifikojnë aktivizimin e fortë të propagandës dhe diplomacisë ruse në këtë rajon e cila kryqëzohet me Perëndimin pikërisht në Beograd.
Add new comment