Nga buron “jo” e qeverisë për referendumin kundër ligjit të mbetjeve?
Kryeministri dje deklaroi se referendumi për ligjin e importit të mbetjeve nuk ka për t’u zhvilluar, ndonëse kjo është një e drejtë që sanksionohet nga Kushtetuta. Kjo e fundit i jep të drejtën 50 mijë njerëzve që të kërkojën shfuqizimin e një ligji përmes referendumit, vlefshmërinë e të cilit e gjykon Gjykata Kushtetuese.
Të njëjtën gjë përsëriti sot edhe zv.kryeministri Niko Peleshi, i cili madje shtoi se nuk ka në thelb arsye për të kërkuar referendum:
“Ne e kemi ndaluar importin e mbetjeve, nuk ka dhe nuk do të ketë ligj që lejon importin e tyre dhe për këtë shkak, nuk ka arsye për të mbajtur referendum”, citon TvKlan Peleshin.
Mirëpo këtu ose ka një keqkuptim ose kjo është një lojë e qëllimshme për të krijuar konfuzion. Dje kryeministri deklaronte me të madhe se nuk ka import plehrash, por mbetjesh për riciklim. Sot Peleshi shkon më tej dhe thotë se nuk ka as import mbetjesh. Po t’i referohemi ligjit të ri, aty thuhet se lejohet importi i mbetjeve të ngurta jo të rrezikshme, autorizimin për të cilat e jep vetëm ministri i Mjedisit. Pra është tagër i qeverisë(foto).
Nga kjo pikëpamje, por edhe në kushtet kur deputetë të PD-së kanë depozituar kërkesën për referendum, është disi e habitshme që qeveria të deklarojë me bindje se referendum nuk do të jetë. Fundja kjo është çështje e Gjykatës dhe këtë garanci nuk ka sesi ta japë ekzekutivi, i cili vetëm sa ka prodhuar një betejë me shoqërinë civile dhe ka mbjellë një dyshim të madh mbi seriozitetin e tij. Mjafton të mendosh se doganat shqiptare do të bëjnë kontrollin e lëndës që importohet për të kuptuar se çfarë katastrofe mund të ndodhë, ndërkohë që gjobat për import të lëndëve të rrezikshme shkojnë maksimumi për 50 milionë lekë të vjetra. Praktikisht asgjë në raport me fitimin.
Add new comment