Edhe Çamëria në axhendën e Nishanit në Nju Jork, falënderon SHBA për mbështetjen e kauzës
Mes Athinës dhe Tiranës ka një klimë mosbesimi dhe po ashtu një re paqartësie lidhur me diskutimet e fundit për të cilat të dyja palët thonë se janë në rrugën e duhur. Megjithë optimizmin e ministrit Bushati për një axhendë dialogu që do të çojë në sheshin e problemeve të së shkuarës dhe së tashmes, aksioni politik i mazhorancës dhe jo vetëm projektojnë një klimë konfliktualiteti me Greqinë.
Përfshirja e PDIU-së në qeveri dhe emërimi i Shpëtim Idrizit si nëkryetar i parlamentit nuk u pa me sy të mirë nga Athina zyrtare që e ka akuzuar ish-deputetin socialist për deklarata dhe synime irredentiste. Kësaj lloj klime i bashkangjitet edhe Presidenti Nishani që artikuloi së fundmi Çamërinë në një takim informal me diasporën në Shtetet e Bashkuara, duke hequr një paralelizëm me Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë dhe Luginën e Preshevës.
Në njoftimin e presidencës mbi këtë aktivitet të Nishanit thuhet se “Presidenti Nishani nënvizoi mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të partnerit strategjik dhe aleatit të pazëvendësueshëm të dhënë ndaj demokracisë dhe institucioneve shqiptare, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të qeverive të saj në kohët më vendimtare të historisë së kombit shqiptar, ndaj shqiptarëve kudo ku janë: në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni, Luginën e Preshevës, Çamëri”. Kjo lloj retorike shkon në drejtim të kundërt mesa predikohet nga Tirana zyrtare për zero probleme me fqinjët dhe nga ana tjetër justifikon çdo retorikë të Greqisë që i kujton Shqipërisë Vorio Epirin.
Add new comment