Pse iu shmang Edi Rama përgjegjësive për rrahjen e biznesmenit libanez?
Kryeministri Rama foli për herë të parë lidhur me rrahjen e biznesmenit libanez Fadi Mitiri, jo rastësisht një ditë pasi Ilir Meta kërkoi nga Shkodra që autorët e këtij akti të vihen para përgjegjësisë dhe pasi agjenci të huaja shkruanin se kryeministri i vendit ishte i vetmi politikan që nuk ishte prononcuar për këtë çështje. Le të themi se kryeministri ndoqi parimin se në ndonjë rast heshtja flet më shumë se çdo argument, aq më tepër kur çështja është nën hetim dhe e vërteta mund të rrëzojë çdo alibi të atyre që e akuzuan se pas rrahjes së biznesmenit fshihet mafia qeveritare.
Por çuditërisht kur pritej që kryeministri të përgjigjej me "prova" dhe fakte se nuk është i implikuar një një ngjarje të tillë Edi Rama, jo vetëm theu heshtjen, por zbuloi se ishte në dijeni të problemeve që bizmesmeni kishte lidhur me investimin në Gjirin e Lalsit, madje i konfidoi publikut se ishte takuar me të në zyrë apo diku tjetër.
Dhe për kalvarin e Fadi Mitrit kryeministri akuzoi parardhësin e tij, Sali Berishën duke lënë të nënkuptohet se ata që e dëbuan vërtet biznesmenin libanez nga Shqipëria ishin njerëz afër Berishës, ndërsa autorët që dhunuan biznesmenin ishin vetëm instrumenti. Për këtë solli si provë një vendim të Gjykatës së Durrësit që i kthente sipërfaqen prej 42 mijë metra katrorë në Gjirin e Lalsit një shtetasi nga Durrësi. A është kjo mjaftueshme për të sqaruar pozicionin e vetë kryeministrit dhe predispozitën e qeverisë për të garantuar investimin dhe parandaluar konfliktin?
Në fjalimin e tij të sforcuar kryeministri iu shmang pikërisht faktit se një investitor i huaj përfundoi në spital në një mjedis ku qeveriset prej tij këtu e 3 vjet. Kësaj përgjegjësie kryeministi nuk i dha përgjigje edhe pse qeveria i ka të gjitha instrumentat për të shkuar tek autorët e dhunimit të biznesmenit e më pas tek personat që urdhëruan dhunimin e tij. Fadi Mitri iku nga Shqipëria me barrelë dhe kryeministri u mundua ta na bindë se bëri gjithçka që biznesmeni të qëndrojë në Gjirin e Lalsit, ndoshta duke iu referuar vizitës në spital të ministres Milva Ekonomi. Po çfarë ka bërë policia për të zbardhur ngjarjen? Në fillim hezitoi të referojë ngjarjen, më pas e raportoi si konflikt të çastit dhe pas zhurmës mediatike sqaroi se biznesmeni ishte rrahur me shkop bejzbolli. Ndaloi një person të dyshuar nga Sukthi dhe shpalli në kërkim dy të tjerë. Dhe më qesharak është fakti se i ndaluri Skënder Kraja, u la në arrest me burg jo për akuzën e rrahjes së biznesmenit, por sepse iu gjet në banesë një sasi e vogël kanabisi.
Edi Rama hoqi nga vetja çdo përgjegjësi dhe tha se për rrahjen e biznesmenit e përgjegjësinë e paska një gjykatëse e sistemit të Sali Berishës. Por a është ky rasti për të besuar se sistemi ka funksionuar dhe se strukturat policore nuk kanë neglizhuar qëllimisht kërcënimin ndaj libanezit, aq më tepër që kryeministri ka qenë në dijeni të presioneve. Janë një seri ngjarjesh kriminale ku autorët kanë mbetur enigmë dhe mesa duket edhe rrahja e biznesmenit do të jetë pjesë e këtij katallogu që do të hyjë në rekordet e kësaj qeverisje. Si është e mundur që policia dhe prokuroria nuk kanë zbardhur ende vrasjen e bankierit Artan Santo në mes të bllokut, nuk ka ende një pistë për atentatorët e gjykëtësit Skerdilajd Konomi, nuk ka gjetur asnjë gjurmë nga grabitësit në aeroportin e Rinasit, nuk arrestoi dot Klement Balilin dhe së fundmi nuk po gjen as fillin e rrahjes së biznesmenit në mes të ditës pak kilometra larg Tiranës. Për këto nuk mund të ketë përgjegjësi një gjyqtare e korruptuar e sistemit të Sali Berishës dhe as mund të jetë alibi për të mbuluar përgjegjësitë e një qeverisje që u fshihet fakteve dhe u ikën përgjegjësive qoftë edhe kur nuk është e implikuar. Pa e vërtetuar këtë të fundit gjithmonë do ketë vend për dyshime dhe gishti ndaj Sali Berishës nuk mund të bindë më askënd.
Add new comment