Supermazhoranca ASHE përmes numrave

Postuar në 16 Shtator, 2016 17:49
Arsen Zlaticanin

Fuqia  elektorale e mazhorancës  së  sotme  duket absolute. Edhe të  disfavorizuar  me  përzgjedhjen  e  kandidatit  të  vjetshëm  për  bashkinë  e  Dibrës, edhe  pse  opozita  u  angazhua  mjaft  të  fitonte  këtë  betejë  strategjike, prapëseprapë  Dibra  prodhoi  një  rezultat  surprizues, i cili në një  këndvështrim  të  parë, pa u  thelluar, jep  idenë  që vitin tjetër  do  kemi  numerikisht  një  mazhorancë  siç  kishim  ne  vitin  1991  apo  ne  vitin  1992.

Në këtë  analizë  do  përpiqem  ta  racionalizoj  këtë  situatë  popullariteti  duke  analizuar  Dibrën  dhe  duke  gjetur  diçka  të  përbashkët  me  zgjedhjet  e  kaluara.  Në një artikull të vitit 2014 (  http://www.respublica.al/arkiv-opinion/supermazhoranca-aktuale-sipas-numrave ) kisha  analizuar shpërndarjen e votave duke  konstatuar luhatjet e forta  të  përqindjeve në  zona  territorialisht afër për  subjektin  LSI, gjithashtu  duke  bërë  krahasimin me  shifrat  nga  zgjedhjet  e  mëparshme. Ky  fenomen  përsëritet  edhe  tani  në  zgjedhjet  e 11  shtatorit  për  kryetar  bashkie  të Dibrës, ndonëse  jo  me  impakt  deçiziv  përsa  i  takon  përcaktimit  të  fituesit. 

Bashkia  e  Dibrës  ka  gjthsejt  15  njësi  administrative (ish komunat  dhe  ish  bashkitë). Për  çdo  njësi  administrative kam  paraqitur  tek  grafiku  i  mëposhtëm  dispersionin  e  përqindjeve  të  votave  për  të  dy  kandidatët  që  konkuruan  në  zgjedhjet  e  11 shtatorit.

 

Mesatarja e devijimeve (dispersioni) të  përqindjeve  të  votave  të  fituara  nga  kandidatët  nëpër  qëndrat  e  votimeve  nga  mesatarja  e  përqindjeve  të  tyre për  çdo  njësi  administrative.

Vërejmë  që  njësia  Tomin  ka  dispersionin  më  të  madh,  që  do  të  thotë  se  mbështetja  për  kandidatët  ndryshon  shumë  nëpër  qëndrat  e  ndryshme  të  votimeve  brenda  kësaj  njësie. Tabela  e  mëposhtme  jep  një  ilustrim  për  këtë  ndryshim.  

 

 

Nëpër  QV  e  tabelës  së  mësipërme vërehet  një  ndryshim  i  madh  i  mbështetjes  për  kandidatët , ndërsa  po  të  krahasohen  rezultatet  e  tanishme  me  ato  të  vitit  2015, vërehet  mungesa  e  konsistencës  së  ndryshimeve. Në  QV  1154  një  lëvizje  tepër   e  fortë  majtas , ndërsa  në  QV 1163  një  lëvizje  e  fortë  djathtas.

Që  të  mos  e  zgjas  me  tabela  e  shifra  më  tepër, po konkludoj  që sa më i  madh  të  jetë dispersioni  (nga  grafiku  për  njësinë  administrative),  aq  me  i  pranishëm  do  të  jetë  fenomeni  i  kaotizmit  në  shpërndarjen  e  votave  për  kandidatët.  Kështu,  kaotizëm  paraqitet  edhe  njësitë  Kastriot, Fushë  Cidhën, ... ,  kurse  me  tepër  stabilitet  ka  në  qytetin  e  Peshkopisë.

Duke  shtuar  që kjo  analizë  nuk  ka  qëllim  të  merret  me  Dibrën  konkretisht  por  me  fenomenin  që  shfaqet  përherë  e  më  tepër  në  zgjedhjet  shqiptare, luhatjet  kaotike  dhe  mbështetja  iracionale (e shprehur në  shifra) që  marrin  subjektet  politike, sidomos  në  zonat  rurale.

Kështu,  ky  kaotizëm  nuk  të  lejon  të  bësh  parashikime  efektive  në  të  ardhmen mbi  baza  analitike,  që  do  të  thotë  se  do  kemi  mjaft  rezultate  surprize  për  zgjedhjet  parlamentare të  vitit  2017. Mjafton  të  përmend  faktin  që  deputeti  Tom  Doshi në  vitin  2013  bëri  një  parashikim  shumë  më  të  saktë  për  rezultatin  në  Shkodër  sesa  analistet,  dhe  surprizues  në saktësinë  e  tij  në  raport  me  pritshmëritë  e  opinionit  dhe  traditën  e  Shkodrës  që  votonte  historikisht  djathtas.

Dikush  mund  të  ketë  dyshime  për  manipulime  apo krim elektoral (siç  shprehet opozita), dikush  mund  të  mendojë  se  zonat  rurale  kanë  përparuar  aq  shumë  në  mentalitet  dhe  në  mënyrën  e  perceptimit  të  politikës, saqë  prodhojne  vetëm  surpriza  me  progresin  e  tyre.

Gjithsesi,  ky  është  një  fenomen  në  rritje  përherë  e  më  tepër  dhe  gjithashtu  ka impakt  përherë  e  më  të  madh  në  rezultatin  e  përgjithshëm  të  zgjedhjeve.

Sidoqofte,  populli  vendos! Se si, ne ç’mënyrë,  e në  ç’formë, mbetet  ta  shohim... 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.