U mbars mali dhe polli një mi - një sistem i padrejtë për maturantët*
Janë me qindra maturantët e brezit 2015-2016 kandidatura e të cilëve nuk figuron fituese në asnjë nga degët e zgjedhura për të vazhduar studimet në arsimin e lartë. Për fatkeqësinë tonë, shumë prej tyre me mesatare të mirë dhe shumë të mirë, - kontributi i radhës për të dhënë një dorë në shkërmoqjen e mëtejshme të çdo bindje a shprese se në këtë vend gjërat mund të rregullohen ndonjëherë nga kjo klasë politike që kemi.
Sipas kryeministrit, fitojnë “më të mirët” dhe janë ata që zgjidhen fillimisht, nga sistemi, për të kryer studimet në një degë të caktuar të arsimit të lartë, për t’u lënë radhë të tjerëve, atyre “më pak të mirë”, të zgjedhin.
Është absurde të pretendosh se ekziston ndonjë sistem perfekt arsimor parauniversitar, për më tepër në gjendje të pretendojë të njëjtin kut “të së mirës” në çdo cep a qoshe të tij, pra në çdo shkollë të mesme, të çdo fshati a qyteti të Shqipërisë. Ne nuk e kemi, por nuk besoj se ka ndonjë sistem në botë se mund të pohojë se e ka. Pra, ndarjen në “të mirë” dhe në “më pak të mirë”, nisur vetëm nga rezultatet e shkollës së mesme, e kemi lënë pas krahëve, edhe ne, këtu në Shqipëri, si ideologji jo të pranueshme 26 vjet më parë. Sigurisht që nota mesatare është kriter i nevojshëm për të përcaktuar “të mirët”, por jo i mjaftueshëm. Për këtë arsye universitetet në të gjithë botën, krahas notës mesatare, vendosin edhe kritere të tjera, si për shembull, kërkojnë rezultatet e një testi të dytë të njohur prej tyre, ose formulimin e një ese-je a një listë të aktiviteteve në të cilat është përfshirë kandidati gjatë gjimnazit etj. Aq shumë është shkruar dhe folur në lidhje me këtë aspekt, sa nuk më besohet që po i rikthehemi edhe një herë.
Por shprehja e kryeministrit, artikuluar me cinizëm, në mos mbi bazën e një bindjeje naive a mungese totale formimi dhe informimi në lidhje me problemet e arsimit, sikundër edhe qëndrimi i tij, del në mbrojtje të një sistemi të padrejtë dhe të pandershëm.
Sistemi i selektimit i aplikuar për të zgjedhur fituesit që do të vazhdojnë studimet në një degë të arsimit të lartë është i padrejtë: sepse futi kritere të reja, ndërkohë që nxënësit i kishin bërë zgjedhjet tre vjet më parë, mbi bazën e kritereve të tjera, të ndryshëm nga këta të rinj; sepse vetë shkollat, për mungesë të kuadrove dhe të teksteve, nuk ofronin shumë nga lëndët që ju duheshin nxënësve për të marrë pikët maksimale, pra jo për mungesë të dëshirës, vullnetit a talentit të nxënësve për të qenë “më të mirët”; sepse është alogjike të flasësh për dhjetë preferenca, - nxënësit kanë pasur të drejtën të zgjedhin deri në dhjetë preferenca, por nuk ka mundësi të jesh “i mirë” në dhjetë programe studimi njëkohësisht (!); sepse nuk ka punë Ministria e Arsimit të përcaktojë, mbi bazën e një formule matematikore, sado e koklavitur dhe me variabla të jetë ajo, se për çfarë është i aftë dhe ku do japë më të mirën secili prej atyre mijëra maturantëve që kanë aplikuar për të vazhduar studimet në shkollën e lartë, - kjo është një punë që u takon universiteteve; sepse premtimi ishte që shkolla e mesme dhe rezultatet e saj do ishin dëshmi për mbarimin e këtij niveli, dhe jo kusht për hyrje në universitet.
Secila nga arsyet veç e veç, por aq më shumë të gjitha bashkë, do mjaftonte për ta lënë pa gjumë kryeministrin tonë batutaxhi, si dhe për të ndryshuar retorikën. Por shtuar faktin se sistemi bëri të pakënaqur me qindra të rinj që dalin dhe protestojnë, sepse nuk e gjejnë veten fitues në asnjë degë të universitetit shtetëror ose të një universiteti në përgjithësi, qoftë edhe raundi i parë ky, duhej të kërkonte të rishikohej edhe një herë gjithë sistemi i selektimit, ose të bënte dikë përgjegjës për këtë katrahurë të krijuar.
Sistemi është i pandershëm sepse u ofron nxënësve që aplikojnë për të ndjekur studimet, krahas një universiteti shtetëror, që mbahet me taksat që paguajnë prindërit e tyre dhe të gjithë ne, edhe një universitet privat, që është një nismë private e një a disa personave për të nxjerrë fitime nga një sipërmarrje tregtare. Gjithçka do të ishte në rregull në se pagesat në të dy llojet do të ishte e njëjtë, por diferencat janë të theksuara – flitet për mijëra euro në vit për të ndjekur studimet në një institucion privat të arsimit të lartë, përpos penalizimeve të ndryshme që jepen gjatë vitit që përkthehen gjithmonë në para. Pra, kur shteti ofron, për të njëjtën degë, dy a më shumë mundësi, me pagesa të ndryshme, normale dhe e logjikshme është që shteti merr përsipër të paguajë diferencën për të ndjekur studimet, përcaktuar nga ajo më e ulëta. Pra, nëse një vit universitet në shtet kushton, të themi 150 000 lekë, ndërsa në privat 2 500 euro, të lutem më paguaj diferencën, ose më lë në “hallin” tim. Përndryshe pse i fut në të njëjtin kut kur nuk ke një kut? Logjika më e thjeshtë është: me paratë e mia shkoj vetë për studime ku të dua. Kur janë paratë e tua (të Ministrisë, lexo: të miat, përsëri, si dhe të tonat, por pak më abstrakte dhe për të cilat na mungon kultura të kërkojmë llogari), më le të aplikoj. E thënë thjesht, shkon në dyqan për të blerë bukë, por shitësi jo vetëm të thotë se nuk ka bukë, por vazhdon: “Dëgjo, këtu përballë është një restorant. Pse nuk ha një drekë peshku me verë të mirë?” Pranoj mungesën e bukës, por jo cinizmin e rekomandimit të drekës së peshkut.
Shkurt, asnjërit prej nxënësve që e ka parë veten fitues në njërin prej universiteteve private dhe jo fitues në një universitet shtetëror, kryesisht dhe përgjithësisht për shkak të ndryshimit të shumës së parave që duhet për t’i ndjekur, nuk i intereson një ofertë e tillë e bërë nga Ministria e Arsimit. Dhe po aq të pakënaqur janë ata që nuk kanë qenë fitues në asnjë lloj universiteti, pavarësisht arsyetimit se “do lirohet sistemi sapo të zgjedhin më të mirët”, sepse përsëri “të mirët më pak të mirë” do bllokojnë vendet e “të mirëve edhe më pak se ata të mirë” e kështu me radhë, mund, mërzitje, kohë e çuar dëm, ankth etj., etj. Një sistem sfilitës për nxënësit, por përkundrazi, një investim i mirë i vetë ministres për të siguruar qëndrimin e saj në post, - disa “ndere” e miq me peshë më shumë.
Për të ripërdorur batutën e kryeministrit “U mbars mali dhe polli një mi”. Ministria e Arsimit sigurisht që përcakton numrin e vendeve për studim në një universitet të caktuar, në varësi të disa kritereve dhe në funksion të sigurimit të cilësisë, por kurrsesi nuk duhet të merret me zgjedhjen e aplikantëve të veçantë. Edhe shkollat e mesme kanë më shumë liri në procesin e regjistrimit
*Titulli i autores: U mbars mali dhe polli një mi
Variant i ripunuar
Add new comment