Kostot e Rilindjes Urbane
Infratruktura është një nga sektorët ku qeveria nuk ka prodhuar lajme, veç projektit të Rilindjes Urbane, një ambicje e drejtuar nga vetë kryeministri për të rimodeluar qendrat e qyteteve. Madje në ndonjë rast është dashur që bashkitë të privohen nga investime në ujësjellësa apo rrugë vetëm për të ndryshuar fasadat e disa shesheve ku luajnë domino pensionistët dhe dalin shëtitje të papunët.
Shembull tipik është ai i bashkisë së Delvinës, ku kryeministri ka këmbëngulur që të mos investohet për ujësjellësin e ri, por paratë të shkojnë për qendrën e qytetit. Po ashtu edhe në Memaliaj ku u kërkua me ngulm rilindja e sheshit "Minatori". Shpeshherë kostot e rimodelimit tw shesheve nuk justifikojnë investimet që afirmohen si efektive dhe të dobishme dhe nga postimi në faqen e fejbukut të kryeministrit. Ndoshta për paratë e shpenzuara në këto projekte duhet më shumë transparencë.
Për të ardhur te investimet e mëdha të infrastrukturës të nisura nga qeveria e mëparshme, si rruga Tiranë-Elbasan apo Levan-Tepelenë. Ministri i Ekonomisë, Arben Ahmetaj i pyetur për mospërfundimin e investimeve tha se rruga Tiranë-Elbasan ka marrë zgjidhje pas rishikimit të projektit dhe shtimit të fondeve, ndërsa dy “bypass”-et kanë probleme mes kontraktorëve dhe nënkontraktorëve dhe pritet që të ndërhyje edhe qeveria për të gjetur një zgjidhje.
“Një nga problematikat kryesore të “bypass”-it të Fierit është edhe kostoja e ulët jo reale e tenderimit dhe çështja kryesore ka të bëjë me kontraktorët dhe nënkontraktorët. Të dyja “bypass”-et janë në tryezë për bisedime intensive të qeverisë për zgjidhje”, tha Ahmetaj.
Add new comment