Ndryshimi i kufirit për blerjet online, ministria: TVSh-së, taksë konsumi. Aplikohet për çdo mall
Ministria e Financave ka reaguar sot përmes një deklarate për të sqaruar se përse u ul tavani i patatueshëm për blerjet online. Në sqarimin e vet, Ministria i referohet një praktike të BE-së, por pa shtuar më tej asgjë, se për cilat arsye të brendshme u bë kjo gjë.
Thotë Ministria e Financave:
“U ndryshua kufiri i pataksueshëm në doganë për dërgesat e mallrave me karakter jotregëtar, të cilat kanë një vlerë të papërfillshme të përcaktuar në vendim, përkatësisht për blerjet online nga interneti në masën 22 Euro dhe për dërgesat nga një individ jashtë Shqipërisë pranë një individi në territorin shqiptar në masën 45 Euro. Ndryshimi është bërë në përputhje dhe në përshtatje me rregullat e BE dhe konkretisht të Direktivës 2009/132/EC dhe Direktivës 2006/79/EC, në respektim të rregullave të konkurrueshmërisë në tregun rajonal, europian por edhe në tregun e brendshëm. Në zbatim të parimeve bazë të aplikimit të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, ky tatim është një tatim mbi konsumin që si i tillë, aplikohet mbi cdo mall që importohet në territorin e Shqipërisë. Në zbatim të këtij parimi si dhe për të evituar informalitetin në rastet kur dërgesat e tilla përdoren edhe për qëllime tregtare, të gjitha vendet e BE dhe rajonit kanë standardizuar rregullin duke rishikuar kufirin në jo më shumë se 22 euro”.
o Së pari ministria pranon se është ulur kufiri për dërgesat e mallrave me karakter jotregëtar. Pra në emër të një politike balancimi konkurence, qeveria mendon të fshijë një mundësi për qytetarët shqiptarë, duke taksuar dërgesat për mallra me karakter jotregëtar!!!
o Së dyti, kur ministria flet për “rastet kur dërgesat e tilla përdoren edhe për qëllime tregtare”, duhet thënë se Posta Shqiptare, operatori që përpunon këto dërgesa e që drejtohet nga LSI-ja, ka deklaruar se 75% e dërgesave janë 150 euro. Pra nuk kanalizohen për qëllime tregëtare.
o Së treti ministria flet për herë të parë për parimin e TVSH-së, që është parimi i një “takse konsumi”, e cila aplikohet mbi çdo mall. Kjo është e vërtetë, por është po kjo ministri që e shkel këtë parim, kur vijon të diferencojë mbi kriter xhiroje bizneset që i trajton si “biznese me TVSH” dhe “biznese pa TVSH”. Cili është kuptimi i kësaj politike?
o Së fundmi, ministria, me gjasë e kapur në vorbullën e një reagimi për këtë vendim “antipopullor” dhe hapur klientelist, i referohet rregullave të BE-së dhe parimeve të TVSH-së. Edhe këtu ka të drejtë. Por askush nuk ka ngritur shqetësime mbi ligjshmërinë e vendimit. Shqetësimi dhe reagimi ka ardhur për këtë lloj politike që godet xhepin e njerëzve, të cilët kishin gjetur te blerjet online një rrugë për të menaxhuar më mirë shpenzime të caktuara. Pra reagimi është për këtë lloj politike që vrapon me hu në dorë të gjejë paratë në xhepat e njerëzve, ndërkohë që nga ana tjetër nuk pipëtin për konçesionet dhe vijon me kontrata nga më të papranueshmet me plazhe 1 euro e porte 5 miliardë dollarësh, me kompani pa adresë.
Add new comment