Kosto të mbivendosura për rrugën Tiranë-Elbasan, 1 miliardë lekë për mirëmbajtjen e tunelit të Krrabës
Rruga Tiranë Elbasan është një nga akset e parashikuara për t'u dhënë me konçesion, por pavarësisht kësaj Ministria r Transportit dhe Autoriteti Rrugor Shqiptar po i mbivendosin kostot para se rruga ti dorëzohet konçesionarit. Rruga është ende e papërfunduar dhe një prej zgjidhjeve ishte dhënia me konçesion me detyrimin që konçesionari të merrte përsipër përfundimin e investimit dhe mirëmbajtjen e tunelit, por ministria ka menduar ndryshe. Të mos e përfundojë rrugën dhe të shpenzojë 1 miliardë lekë për mirëmbajten e tunelit. Gazeta "Shqip" thotë se Autoriteti Rrugor Shqiptar ka hapur një procedurë prokurimi me vlerë 1 miliardë lekë të vjetra për mirëmbajtjen njëvjeçare për tunelin e Krrabës. Sipas dokumenteve, prokurimi është për shpenzime mirëmbajtje, kontrata e re për vitin 2016.
Zona tunelore e drejtimit Tiranë – Hyrje Tunel, është ende e papërfunduar për shkak të mospërfundimit të lotit 1. Zona tunelore nga dalja tunelit në drejtim të Elbasanit është e përfunduar, por është akoma nën periudhën e garancisë së defekteve dhe po punohet për përfundimin e disa problemeve që lidhen me defektet ndërtimore, deri në përfundimin e kësaj periudhe.
Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH), nëpërmjet procedurës së prokurimit sipas LPP-se, ka për qëllim të lidhë kontratë, sipas së cilës kontraktori do të jetë përgjegjës për menaxhimin dhe mirëfunksionimin e tunelit, ambientet përreth tij, zonën tunelore, si dhe mirëmbajtjen e pajisjeve dhe sistemeve të operimit të tunelit. Menaxheri i Tunelit, do të sigurojë shërbimet e kërkuara të menaxhimit/operimit të tunelit dhe shërbimet e kërkuara të mirëmbajtjes dhe funksionimit të pajisjeve të tij në bashkëpunim me ARRSH-në, Strukturat e Policisë, Brigadën e Shërbimit të zjarrëfiksave të Tunelit, si dhe gjithë autoritetet e tjera të përfshira për këtë qëllim.
ARRSH thotë se menaxheri i Tunelit do të sigurojë gjithë shërbimet e kërkuara për operimin dhe menaxhimin e tunelit si dhe mirëmbajtjen e funksionalitetin e pajisjeve të tij gjatë periudhës 12- mujore, madje dhe ndonjë tejzgjatje kontraktuale të kësaj periudhe në rast se do të mund të jetë e nevojshme, si dhe operimet dhe procedurat e dorëzimit ndaj Kontraktorit të Koncesionit sapo ai të përcaktohet në bazë të procedurave.
Add new comment