Peizazhi metafizik në pikturën empirike të Toni Milaqit
Sendet s'janë gjë tjetër, veçse hije të ideve”, ka thënë Platoni. Sendet, dritat dhe hijet s’janë gjë tjetër thotë Platoni, por veçse hijet e ideve, duke mos harruar që janë edhe të shpirtit, të unit krijues të krijuesit (artistit si një krijues i krijimeve të tij). Në mesin e kësaj loje fjalësh apo përkufizimesh është i qartë mendimi se si piktura apo dhe artet e tjera kanë lindur nga mendimi dhe ndjeshmëria e krijesës njerëzore, që nga mugëtirat e kohërave, mendimi dhe ndjeshmëria,si pasojë e meditimit të një kërkimi të brendshëm të njeriut për të njohur dhe krijuar alfabetin e tij komunikues...
Burimi i dritës si energjia e pashterueshme e njerëzimit dhe hijet, si prova e ekzistencës reale të vetë sendeve që na rrethojnë përkthehen në regjistrin tonë të të parit si vlera universale. Vlera nga ku përthithim kuptimin tonë ekzistencial në gjirin e natyrës. Drita dhe hija si një lojë kontrastesh të pandara mes tyre, si vlera kundërshtuese tonale, por dhe si dy elemente fizike në ndërtimin e vëllimeve në hapësirë. Një lojë sa fizike aq dhe filozofike në mbarështimin e arsyes dualiste të perceptimit njerëzor.
Metafizika si shprehi filozofike orvatet të sqarojë nocionet me të cilat njerëzit e perceptojnë botën, duke përfshirë ekzistencën, "objektin", hapësirën dhe kohën. Kjo dituri, e cila i hulumton parimet e para dhe më të larta të natyrës e gjejmë të materializuar në frymën më të përkryer në krijimet e artistit Toni Milaqi.
Një artist, i cili përmes peizazheve që realizon arrin të shpërfaqi parimet më identifikuese të gjurmës së filozofisë metafizike, duke i ndërtuar peizazhet e tij nëpërmjet një gjuhe sa reale për nga frymëzimi që ai merr nga e vërteta e asaj që është e disponueshme në mënyrë shqisore, aq dhe surreale për nga stili dhe trajtimi që ai i bënë subjekteve brenda një kompozimi të caktuar. Peizazhi në krijimet e Toni Milaqit kthehet në një sitë në kërkim të një rruge apo shtegu me të cilin mund të shkojmë matanë, përtej reales për të depërtuar në atë gjë që e ka thelb të sajën vetë mendimi metafizik, i cili e lejon që të shfaqet si një gjë e dhënë, drejt qeniesimit si qeniesim, i cili qenieson në një mënyrë më të plotë. Një peizazh themelues i një gjuhe të re për artin pamor shqiptar, që të mpinë me ftohtësinë e tij, por të përpinë me misterin që mbart.
Artisti si “ekzorcist”, i cili lidh dy botë, dy realitete dhe arrin të materializoi të pamaterializueshmen që do të thotë ndjenjën, fantazinë fluturuese të universit të tij të brendshëm. Peizazhe të cilat tanimë nuk kënaqen dhe nuk mjafton të prezantohen thjesht bukur estetikisht, por hedhin hapa galopant përpara në kërkim të materies për të zbuluar thelbin e ekzistencës së qenies së tyre. Pikërisht këtë proces të të perceptuari mes qenies dhe mendimit e njohu edhe Parmenidi në shkrimet e tij për raportin e ekzistencës reale dhe të përtejshme në natyrë.
Gjithsesi në kontekstin e leximit ikonografik të peizazheve të Milaqit mbetet gjuha e vetme për të zbërthyer e përkthyer vlerat medituese që artisti mbarështon në veprat e tij.
Peizazhet e Milaqit e shpërfaqin më së miri këtë ndjesi. Një ndjesi e shoqëruar nga zbrazëtia, vetmia dhe misteri kur sheh rrugicat e peizazheve të mbetur ashtu shkretan dhe teatrale në kompozimet e tyre. Peizazhet në pikturën e tij ndryshojnë perceptimin për natyrën dhe si rrjedhojë edhe përqasjen kundrejt saj. Artisti natyrën nuk e sheh, por e vrojton, e ndjenë dhe e shijon, duke i filtruar përmes shqisave të tij artistike të gjitha këto ndjesi në peizazhe enigmatike. Në peizazhe ku metafizika si nocion filozofiko-stilistikor vërehet dhe perceptohet në çdo kënd të kompozimeve. Gjuha e përdorur nga artisti në pikturimin e këtyre peizazheve mbetet origjinale ndonëse pavetëdije ai i referohet një lëvizje artistike themeluar nga Giorgio de Chirico në viteve e para të shekullit XX. Ajo çfarë bie më shumë sy është luajaliteti me të cilin ky artist ndërton formën, vëllimin, tonet harmonike dhe stilizimin që i bënë natyrës mbi kanavacë. Në pikturën e tij peizazhi ridimensionohet, duke braktisur gjuhën dhe stilin e Realizmit socialist në artin pamor shqiptar. Aspekti emocional është një tjetër virtyt që ndjehet në peizazhin e artisti Milaqi. Ai nuk mbetet dhe as kënaqet me sipërfaqësoren, si një piktor, i cili joshet thjesht nga estetika, por kërkon të studioi formën, spektrin e ngjyrave dhe dimensionet në raport me hapësirën.
Peizazhi nëpërmjet penelit të tij thyen tabu dhe paragjykime të kohës, shpërthen në ngjyra të ndezura plot dritë verbuese. Një peizazh, i cili kthehet në oazin e misterit dhe vetmisë poetike. Në folezën e meditimit dhe reflektimit migjenian ku qetësia mbretëron kudo... Mbretërimi i një qetësie absolute gati-gati ku gjithçka duket sikur të ketë ngrirë që nga kohërat e akullnajave. Një peizazh që ndërthur në natyrën e tij surrealen me metafiziken ku çasti përjetësohet pa kohë dhe hapësirat ngurtësohen në vetvete përgjithmonë...
Humbja e dimensionit të kohës, tjetërsimi i peizazheve nga vende reale ekzistuese në peizazhe përrallore të një realiteti fantastik, braktisja e perspektivës dhe vendosja në një plan të vetëm të gjithë peizazhin dhe thjeshtësimi i formave dhe vëllimeve e ngrenë gjininë e peizazhit në pikturën e Milaqit në një stad të lartë artistik të pakrahasueshëm. Të gjitha këto elemente i japin këtyre peizazheve një identitet sa përbashkues për disa aspekte aq dhe individuale për nga trajtimi formal.
Për shembull në peizazhin “Fshati gri” piktori mban të njëjtin format kompozimi brenda tablosë (atë piramidal), gjithmonë me referencë nga fshati i tij Derviçani (Gjirokastër), trajtimin piktoresk në modelimin e shtëpizave “fluturuese” të mbivendosura në mënyrë të çrregullt njëra sipër tjetrës, si dhe drita teatrale, e cila i jep këtij peizazhi sikurse edhe tre peizazheve të tjera një ndjesi enigmatike, surreale dhe misterioze. Ajo çfarë nuhatet dhe që bënë sigurisht dallimin midis këtij peizazhi dhe tre të tjerëve në këtë grup-peizazhesh të marra në analizë është mbajtja në monokrom të ngjyrës gri të të gjithë peizazhit me disa prekje sporadike aty-këtu më të gjelbërta, smerald dhe të kuqe. Janë pikërisht këto prekje ngjyrash të ftohta dhe e ngrohta e kryqit të kuq, që i veshin këtij peizazhi një dimension tjetër, atë alegoriko-simbolik. Në leximin tim semiotik vërej një shigjetë ngjyrë smerald (një shenjë), e cila është e drejtuar me kokë lart sikur sheh larg në qiell, duke iu lutur Zotit për diçka apo kryqi i kuq i rrëzuar përdhe me kokën poshtë në sheshin e fshatit.
Një dinamikë shenjash dhe simbolikash, që më bëjnë të shkoj përtej me leximin tim analitik. Sepse nëse do të vlerësoja ngjyrat e shigjetës dhe prekjeve të tjera në smerald apo kryqit me ngjyrë të kuqe, kjo më bënë të mendoj edhe për bashkëjetesën dyetnike në Derviçan. Një lexim simbolik-social ky sa i guximshëm po aq dhe i vërtetë në këndvështrimin tim (një bashkëjetesë mes dy etnive që nuk ka lënë kurrsesi indiferent psikologjikë e artistit). Ngjyra e kuqe e kryqit, e cila përfaqëson etninë shqiptare dhe ngjyra smerald në të kaltërt etninë greke (përkatësisht ngjyrat e simboleve kombëtare të secilit), por që të gjithë bashkërisht pjesë e një fshati, bijë të një Zoti, por e një bashkëjetese herë pas here edhe të vështirë mes tyre.
Ndoshta gaboj në leximin dhe interpretimin tim...! Sepse këto prekje sporadike mund të jenë thjesht në shërbim të estetikës së veprës, në thyerjen e monotonisë së ngjyrës dominuese gri sesa pjesë të një trilli alegoriko-simbolik... Pas një thellimi në pikturën e Toni Milaqit arrij në përfundimin se ky artist ka revolucionuar në një mënyrë gjininë e peizazhit në pikturën shqiptare. Një përqasje kundrejt peizazhit sa me referenca nga historia e artit evropian të shekullit XX, aq dhe origjinal në aplikimin e tij në kanavacë. Dualizmi midis logjikës dhe ndjenjës, të njohurës dhe të panjohurës, të vërtetës dhe të pavërtetës, enigmës dhe misterit janë arteriet e qenësishme të peizazheve dhe krijimtarisë metafizike të Toni Miqalit. “Vlera e një vepre arti është e transmetueshme dhe reale vetëm kur është e vetëdijshme dhe është çështja e drejtë e fuqisë shprehëse e një tronditjeje emocionesh lirike nga ana e krijuesit. Ja pse vërtet piktorët më të mëdhenj ishin pak a shumë poetë”, F. de Pisis. Këtë ndjesi tronditjeje emocionesh të shkaktojnë edhe peizazhet e artistit Milaqi në të gjithë universalitetin e tyre metafizik.
"Shekulli"
Add new comment