A është jeta e parakohshme parë nga perspektiva kozmike?
Një studim i ri teorik mbi universin, realizuar nga Qendra për Astrofizikë Harvard – Smithsonian, sugjeron se jeta siç e njohim ne, është e parakohshme, parë nga një perspektivë kozmike. “Nëse pyesni kur mund të shfaqet jeta? Mund të përgjigjeni me naivitet: Tani. Por na rezulton se shansi për ekzistencën e jetës është shumë më i madh në të ardhmen e largët”, deklaron autori kryesor i studimit, Avi Loeb. Jeta në Tokë nisi 4.5 miliardë vjet më parë në një univers që vlerësohet si 13.8 miliardë vjet i vjetër. Por fara e jetës, apo kushtet fizike për të u krijuan vetëm 30 milionë vjet pas Big Bang, një kohë kur yjet përhapën në kozmos elementë kaq të domosdoshëm si karboni dhe oksigjeni. Dhe ka edhe një afat përfundimtar për jetën duke marrë në konsideratë jetën e yjeve: 10 trilion vjet që tani, yjet do të konsumojnë energjinë dhe gazin e tyre. Këto dy kufij janë një tregues i mirë për të hamendësuar mundësitë teorike të jetës, meqenëse faktoi përcaktues për të është kohëngjatja e një ylli. Sa më e madhe masa e një ylli, aq më e vogël është jetëgjatësia e tij. Kështu, një yll me masë tre herë më të madhe sesa Dielli, do të shuhet përpara se jeta të ketë shans për të evoluar. Dhe e kundërta me yje me masë më të vogël. Pse atëherë ne ekzistojmë në kundërshtim me këtë hipotezë?
“Një mundësi është se ne jemi të parakohshëm. Një tjetër është se mjedisi rreth yjeve me masë të vogël është i papërshtatshëm për jetën”, vijon i njëjti autor. Sipas tij, shpjegimin mund ta japë studimi i xhuxhave të kuq dhe planeteve që orbitojnë rreth tyre. Autorët sugjerojnë që ky duhet të jetë një nga misionet e hapësirës në të ardhmen, nëse dëshirojmë që të marrim përgjigje nëse jemi vetëm apo jo në univers. Edhe pse sa më shumë njihet ky i fundit, aq edhe më të çuditshme tingëllojnë teoritë që po kërkojnë të japin shpjegime mbi atë që shihet në të.
http://phys.org/news/2016-08-earthly-life-premature-cosmic-perspective.html
Add new comment