Përralla e stërthënë e anulimit të koncesioneve
Dje Partia Demokratike deklaroi përmes deputetes Jorida Tabaku se me ardhjen në pushtet do të anulohet koncesioni i fundit për rrugën Durrës-Kukës, i cili u vendos atyre që lëvizin në atë rrugë një tarifë të lartë. Ky është një deklarim shumë problematik dhe me gjasë me axhendë tjetër nga ajo që lidhet me interesin e shqiptarëve.
Së pari, PD-ja e ka të pasigurtë ardhjen në pushtet në vitin 2017, kur edhe trajtimi i kësaj çështjeje të ketë njëfarë kuptimi. PD-ja mund të vijë në pushtet edhe në vitin 2021 kur taksa të jetë bërë pjesë normale e buxheteve dhe kur ajo të jetë harruar si problem më vete.
Së dyti, kjo është një çështje që meriton tjetër trajtim nga ai i djeshmi me një deklaratë të Tabakut. PD-ja ka nisur këtë rrugë, e ndërtoi, e la papërfunduar dhe nuk arriti të jepte me konçesion pjesën finale. Tarifimi i lëvizjes në të ishte pjesë e planeve të qeverisjes së saj dhe këtë e dinë të gjithë. Propozimi më i besueshëm nga demokratët në këtë rast do të ishte ose kompensimi në taksa të tjera për këtë rrugë, meqenëse atë e kanë ndërtuar shqiptarët me taksat e tyre, ose rinegociim tarife. Duket e vështirë që kushdo që vjen nesër në qeveri të anulojë një koncesion me kontratë të rregullt, veçse në e ka ndarë mendjen për ndonjë gjobë në Arbitrazh. Hetimin e praktikës PD-ja mund ta bëjë që sot me komision parlamentar.
Këtu nuk po hyjmë në hipotezën nëse kjo lidhet me faktin se në valle janë turqit siç u tha, pasi koniunkturat ndryshojnë shpejt. Këtu çështja është tek politika afariste që luhet mbi politikën mediatike të deklaratave. Mund thjesht të imagjinojmë shqetësimin e koncesionarit dhe përpjekjen e tij për të negociuar qysh tani me përfaqësues të PD-së.
Të njëjtën deklaratë bëri PD-ja përmes kreut të vet, Basha, edhe për kullën e parashikuar në stadiumin e ri në Tiranë. Mirëpo kur projekti të ketë përfunduar, brenda rrezes kohore të qeverisjes së Edi Ramës, çfarë kuptimi do të ketë “sharrimi” i kullës? PD-ja ka kërkuar që “prokuroria të hetojë”, por mundet fare mirë të pyesim: pse nuk e inicion vetë opozita këtë çështje? Ndërhyrja është bërë me praktika që mbajnë erë dhe në një zonë të kategorizuar, me një objekt për të cilin pati kundërshti.
Prerja e kullës, apo anullimini i saj në projekt do të ngjante i kotë dhe me para të shpenzuara nga qytetarët. Të gjithë e mbajmë mend betejën qesharake të qeverisë Berisha në vitin 2005 kur u lëshua në sulm për prishjen e Mbikalimit te Zogu i Zi në Tiranë dhe kundërshtimin trashaman dhe edhe më qesharak të një opozite si PS-je që mbante mitingje difensive mbi Mbikalim. Një lojë interesash e pastër në emër të së majtës progresiste. Një përdorim badihava i deputetëve ish-ministra nga i njëjti njeri që vazhdon e bën edhe sot këtë punë.
Në historikun e saj PD-ja e ka një sjellje të tillë të përsëritur: në vitin 2004, përpara se të vinte në pushtet, ajo deklaroi përmes ish-kryetarit të vet, Sali Berisha, se do të pezullonte privatizimin e Albtelekomit të blerë nga turqit, pas pjesëmarrjes së Fatos Nanos në dasmën e djalit të Erdogan. Dhe e bëri fakt këtë, por vetëm për një vit. Enti u rishit me të njëjtën vlerë dhe qysh atëherë çështja u arkivua pa përgjigje.
Është e natyrshme të bëhen shumë pyetje kur vjen puna te koncesionet: ta zëmë nuk është e qartë se përse për disa komcesione opozita aktuale kërkon hetim, për disa hesht, për disa deklaron anullim kur të vijë në pushtet. Koncesionet në shëndetësi janë të gjitha edhe si praktikë të kontestueshme, por nuk është dëgjuar PD-ja të thotë se do të anullohen. Aludimi i Erjon Braçes pak ditë më parë për zjarrin në Spitalin Amerikan adreson një fluks interesash pas të cilave politika kalibron edhe sjelljen publike. Dhe kjo sjellje na mëson se kur për disa gjëra heshtet nga të gjithë, vetëm gjëra të mira nuk po ndodhin. Rasti i shpërthimit të gazit në Marinëz, sa për të dhënë një shembull apo i koncesionit të skanimit në dogana.
Por edhe i shtruar më parimisht problemi me deklarata të tilla si ky i Tabakut është jo pa rëndësi. Në kohën kur në opozitë ishin socialistët, sidomos dy vitet e fundit para zgjedhjeve të vitit 2013 – koha e përshtatshme pra – dëgjonim thuajse përditë nga Edi Rama se do të anulonte koncesionet e qeverisë Berisha. Kur erdhi në qeveri, dëgjuam stacionin tjetër: janë marrëveshje juridike që nuk i zhbëjmë dot. Dhe kjo është e kuptueshme pasi kush është ajo kompani që do shkojë të firmosë letra bakalli me miliona euro në lojë. Shqipëria është një vend ku edhe një nënkontraktori CEZ-it, kompani që la gropë të thellë sipas versionit qeveritar, kërkoi 120 milionë euro dëmshpërblim. Dhe desh ia arriti. Si vallë do të anulohen këto konçesione?
PD-ja ka provuar se ka ekspertizë të mirë juridike, por këtu çështja është te vullneti dhe serioziteti përkundrejt qytetarëve. Apo edhe biznesit që është më i interesuar. Nuk shihet që të jetë angazhuar ndonjë studio, të ketë një program të qartë për koncesionet, për investimet strategjike të qeverisë Rama në bregdet. Edhe sjellja e PD-së me projektin e Karpenit është e dyshimtë. Në komision Parlamentar u abstenua, në seancë nuk u votua!!!
Le të mbajmë parasysh se nga 8 vite qeverisje, ish-kryeministri Sali Berisha ka pranuar si dështim vetëm privatizimin e bërë nga CEZ. Asgjë tjetër. E megjithatë nami është se është bërë nami. Socialistët nuk hetuan asgjë, nuk hapën asnjë letër. Dhe po thyejnë rekorde në dhënie koncesionesh. Pse vallë duhet besuar se nesër ky fluks paraje do të pezullohet? Pa iniciatova konkrete dhe plane të qarta, fjalët e një partie s'përbëjnë kurrfarë garancie, pasi e shkuara e afërt, si dhe pasuria verbuese e shumëkujt që merret me politikë është një gur më shumë në kandarin e mosbesimit.
Add new comment