Izrael/Dokumenti: Kolonizimi në West Bank u krye mbi pretendime të falsifikuara
Kolonizimi izraelit i West Bank është kryer mbi pretendime false. Gazeta e majtë izraelite “Haaretz” referon dokumente sekrete të viteve ’70, sipas të cilave kjo është ditur nga vendimmarrësit më të lartë të shtetit dhe është vijuar pavarësisht se binte ndesh me ligjet ndërkombëtare. Në dokumentin që gazeta pretendon se e disponon, jepen hollësi ngan mbledhje ku merrte pjesë ish-ministri i Mbrojtjes, Moshe Dayan, të cilit qeveria dhe drejtuesit ushtarakë i kishin dhënë të drejtën dhe instruksionet si ta kryente këtë mashtrim me ndërtimet e reja në zonën e Kiryat Arba, pranë Hebronit. Dokumenti titullohet: “Metoda për ndërtimin e Kiryat Arba” dhe aty përshkruhet sesi do të merrej toka palestinezëve përmes aplikimit të regjimit ushtarak , për qëllime sigurie dhe se ndërtimet e para në zonë do të prezantoheshin si të tilla, pra për qëllime strikte ushtarake. Brenda zonës ushtarake do të ndërtoheshin 250 shtëpi, të gjitha me angazhimin e Ministrisë së Mbrojtjes. Mandej do të thirrej kryetari i Bashkisë së Hebronit i cili do të informohej, në kuadër të shtrimit të çështjeve të tjera, se ka nisur ndërtimi i shtëpive për shkak të afrimit të dimrit. Diçka që qysh atëherë, siç shkruan "Haaretz" konsiderohej si një sekret i njohur.
Add new comment