A është (mund të jetë) më Erdogan miku i çmuar?
Sot mediat kryesore në Europë njoftojnë se qeveria turke, në krye të së cilës de facto është presidenti Reccep Tayyip Erdogan, ka mbyllur 130 organizata mediatike, mes të cilave televizione, gazeta, shtëpi botuese. Është një hap i fundit i radhës në atë që po ndodh në Turqi pas tentativës së dështuar për grusht shteti më 15 korrik. Një grusht i formuluar zyrtarisht si i tillë pas të cilit Erdogan ka arritur të imponojë një tërmet shtetëror, institucional e njerëzor me magnitudë të lartë: nga 6000 të arrestuar, 2745 janë gjyqtarë.
Siç është bërë e njohur ka një reagim përherë e më shumë në rritje nga Perëndimi, apo demokracitë perëndimore sipas një terminologjie tjetër, kundrejt kësaj që po bën presidenti turk, përfaqësues i një ideologjie islame në krye të shtetit.
Por si qëndron Shqipëria zyrtare në raport me këtë që shumëkush e ka quajtur një rrëshqitje në Diktaturë të Turqisë?
Tirana zyrtare ka vetëm një reagim mbi ngjarjet në Turqi. Ai i datës 16 korrik, një ditë më pas grushtit të shtetit. I pari nga kryeministri i vendit, Edi Rama, që përmes një statusi në Facebook, shprehej i lumtur për popullin vëlla turk dhe mikun e çmuar Erdogan. I dyti, po atë ditë, Ministria e Jashtme shqiptare doli ndër të tjera me këtë qëndrim:
“Përshëndesim vendosmërinë e popullit turk dhe përfaqësuesve të tyre legjitimë për të rikthyer rendin kushtetues dhe shprehim mbështetje të plotë për qeverinë e zgjedhur demokratikisht, institucionet e vendit dhe sundimin e së drejtës. Turqia mike dhe aleate e ngushtë në NATO është një vend kyç në luftën kundër terrorizmit me kontribute të pazëvendësueshme në përballimin e sfidave të sigurisë dhe një prej shtyllave të rendit ndërkombëtar”.
Nëse shohim veprimet e fundit të Ankarasë në raport me vlerat që duhet të përfaqësojë një vend anëtar i NATO-s, shfaqen probleme serioze. Dhe kjo u vu në dukje edhe nga sekretari amerikan i Shtetit, Kerry, ku deklaroi se qenia në NATO lidhet me vlera të demokracisë. Asnjë prej drejtuesve të vendeve anëtare të NATO-s nuk bëri një deklarim të personalizuar për Erdogan si Edi Rama, por iu përmbajtën qëndrimit zyrtar që referonte stabilitetin e Turqisë. Çka e bën specifik qëndrimin e kryeministrit shqiptar, që shpalli një mik në Ankara. E drejtë e tij në planin privat.
Por edhe ky boshllëk që nga data 16 është i sforcuar, përderisa Shqipëria zyrtare i ka shumë për zemër vlerat e demokracisë, në mbrojtje të të cilave po realizon një reformë në drejtësi, e cila ndoshta nuk provokon tërmetin e Erdogan, por diçka do të bëjë për mirë gjithsesi. Dhe vështirë se në rrethanat e sotme politike ndërkombëtare, një miqësi politike me një politikan si Erdogan, që po zhvendos edhe drejtimet e Politikës së Jashtme, të mund të qëndrojë pa kosto. Qoftë edhe nëse Ankaraja zyrtare ripërsërit kërkesën e Erdogan për mbylljen e aktiviteteve të Fetullah Gylen në Shqipëri. A mund të ruhet ende më tej miqësia me Erdogan? Kjo gjithsesi nuk do ngatërruar me marrëdhëniet me Turqinë si vend dhe si popull.
Add new comment