Shfaqen ndërkombëtarët, jo sipas variantit të Fatmir Xhafës

Postuar në 27 Korrik, 2016 22:05

Fatmir Xhafa tha sot se ndërkombëtarët kanë kërkuar futjen me procedurë të përshpejtuar të Ligjit të Vettingut ose siç njihet ndryshe Ligji për Vlerësimin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, duke kërkuar që ligji madje të miratohej këtë të enjte, ndonëse procedura e kërkonte që miratimi i 7 ligjeve shoqëruese të paketës të reformës në drejtësi të bëhej 15 ditë pas dekretit të presidentit.

Në fakt nuk u kuptua mirë nëse Fatmir Xhafa foli si socialist apo si zëdhënës i ndërkombëtarëve, të cilët nga ana e tyre dolën me një deklaratë ku sqaruan se miratimi i Ligjit të Vetingut mund të bëhet vetëm pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve kushtetuese.

Më poshtë deklarata e BE-së:

BE së bashku me SHBA-të kanë kërkuar miratimin e shpejtë të shtatë ligjeve, dhe të parin ligjit e vlerësimit (vetting), në mënyrë që të përshpejtohet zbatimi i paketës së Reformës në Drejtësi.

Kjo gjë i është bërë e ditur të gjithë udhëheqësve politikë, dhe Kryetari i Kuvendit Meta ka konfirmuar se si Kryetar i Kuvendit është i gatshëm të thërrasë mbledhjen e një seance të jashtëzakonshme të Kuvendit me të hyrë në fuqi Ndryshimet Kushtetuese (më 11 gusht), meqenëse krerët e grupeve parlamentare kanë rënë dakord për këtë.

Miratimi i shpejtë i ligjeve zbatuese është parakusht për nisjen e zbatimit të Reformës në Drejtësi, dhe i një rëndësie themelore për rrugën evropiane të Shqipërisë.

Drafti u është shpërndarë të gjithë anëtarëve të Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi gjysmën e dytë të muajit qershor.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.