Mos u fshih pas frikës!

Postuar në 25 Korrik, 2016 14:04
Agim Baçi

Sa vetëvrasje të rinjsh dhe sa jetë të shkatërruara duhet të ndodhin, që të ketë rregullim ligjor për shpifjen dhe cenimin online?”. Kështu e pyeti kongresmenin amerikan një nga nënat që pati të bijën gjimnaziste në prag vetëvrasjeje vetëm e vetëm se shoqet e saj i kishin hapur një profil të rremë të një të dashuri, që gjoja e kish lënë shtatzënë dhe ajo e kish infektuar me SIDA.

Një pyetje, e marrë gjerësisht e debatuar nga media amerikane dhe nga kinemaja, pasi ajo nënë u bë shkak më vonë që 34 shtete në SHBA të rishikonin menjëherë ligjin për komunikimin online, ku është vënë kufiri mes të drejtës për t’u shprehur dhe të drejtës për të fyer apo sajuar marrina. Po në fakt, në shoqërinë tonë, çfarë po ndodh me debatet online?

Ajo që mund të themi me siguri është fakti se poshtërimi i dikurshëm anonim, por i kufizuar, i mbetur vetëm në lagje, në periferi, tashmë ka kohë që bëhet online, në blogje të ndryshme në internet. Të fshehur pas mantelit të anonimatit, rrjetet sociale janë mbushur pafundësisht me gjuhë urrejtjeje dhe me shpifje nga më përçudnueset. Natyrisht, nuk është vetëm problem shqiptar.

Është mbarëbotëror ky shqetësim. Por, a duhet gjetur një rrugëzgjidhje për këtë fenomen që rrezikon devijime psikologjike jo vetëm te të rinjtë, por edhe te të rriturit? Afërmendsh, gjithkush e ka sot të vështirë të orientohet drejt së vërtetës në detin e informacioneve të pafundme. Por nuk është thjesht çështja e një reference gabim.

Breza të tërë të rinjsh rrezikojnë të bëhen pjesë e “forumeve pa fytyrë”, ku thuren e ndërthuren profile, të cilat mund të jenë vendimtare për jetë të ndryshme, pa llogaritur se ç’mund të ndodhë me jetën e tjetrit. “Mjafton t’i vësh altoparlantin budallait dhe shenjtëria e fjalës ka marrë fund!”, thoshte studiuesi dhe gjuhëtari i famshëm italian Umberto Eco, që paralajmëronte bjerrjen e fjalës nga përdorimi pa kriter e për më tepër me gjuhë urrejtjeje nga njerëz që, kohë më parë, nuk do të guxonin të hynin në debat as në lagjet e tyre, se do t’u ndërpritej menjëherë fjala.

E duket se me lirinë që gjithkush mund të shkruajë e sajojë ç’të dojë për tjetrin, jemi pikërisht në skajin e fundmë të keqpërdorimit të lirisë për të shkruar dhe thënë gjithçka. Dhe në Shqipëri ne prej kohësh kemi plot raste për vjedhje profilesh, ndërtime profilesh të rreme dhe shpërfytyrim të të dhënave. Jo pak familje kanë kaluar trauma dhe jo pak të rinj kanë qenë në situatë dramatike për shkak të profileve apo komunikimeve dashakeqe.

Në këtë betejë, pa dyshim që duhet ruajtur shenjtëria e lirisë së fjalës dhe të gjitha anët e mira që ka sjellë e vijon të sjellë kjo liri. Por ajo duhet ndarë urgjentisht nga liria për të fyer, e cila shpesh është fshehur pas lirisë së fjalës.

E ndoshta hapi i parë i rëndësishëm do të ishte nisja e një debati të hapur në faqet e gazetave dhe në televizione me sociologë e psikologë lidhur me atë çfarë debatohet në emër të anonimatit, pasi edhe pse i thënë ashtu pa emër, ata që flasin kaq papërgjegjshëm janë në mes të shoqërisë sonë, dhe rreziku është që ata mund ta praktikojnë atë në përditshmërinë e tyre.

Ky rrezik i praktikimit është shtuar pikërisht nga inkurajimi i sotëm që kanë ndërmarrë shumë prej tyre të flasin nëpër rrjete sociale. Aktualisht ne jemi në atë pikë që paralajmëronte gjuhëtari dhe filozofi Noam Çomski, i cili e lidh këtë situatë me “inkurajimin që u ka dhënë bota sot injorantëve që të mos turpërohen me padijen e tyre”, me një strategji që duket se do të zhysë në një heshtje edhe më të madhe njerëzit e mendjes.

Kjo injorancë i ka hapur rrugën mbretërisë së të frustruarve, të cilët, në pamundësi për të menduar një herë në jetën e tyre pozitivisht, nxjerrin gjithë arsenalin e ligësisë ndaj tjetrit, duke qenë një minë ligësie ndaj gjithë shoqërisë. Po të lexosh sot debatet anonime në forume të ndryshme, konstaton se po jeton në një shoqëri ku askush nuk beson në asgjë, ku të gjithë ankohemi, ku të gjithë shajmë, ku gjithnjë është fajtor Tjetri e asnjë vetë nuk ndihet në faj për atë çka i ndodh përreth.

Ndaj lidhur me këtë shqetësim, mbarë bota ka nisur studime të pafundme, me qëllim që të rregullojë këtë furi injorancë-komunikimi. “Shumica e atyre që flasin vetëm online janë frikacakë”, thoshte Eco, duke ngritur alarmin se të tillë njerëz kërkojnë aleatë në frustrimet e tyre, duke fjetur e duke u zgjuar mbi shpifje.

Mbetet që edhe ne t’u gjejmë një zgjidhje, që t’u themi të rinjve, e gjithë atyre që nuk janë rritur për të pasur guxim e kurajë në komunikim me të tjerët, që të mos fshihen pas frikës, të mos jetojnë me mantelin e zhubrosur nga frika e anonimatit. Bota ka kohë që debaton dhe e sheh të nevojshme që kjo furi komunikimi të futet në hullinë e një menaxhimi, të paktën si e studiuar.

Mediat e shkruara dhe ato vizive duhet të jenë një sinjalizuese e rasteve që fshehin pas tyre rrezik për pedofili, mashtrim apo shpifje që cenojnë identitetin deri në degradim e vetëvrasje. E po kështu, organet hetimore duhet të kenë një investim, për të bërë të mundur që ky evitim të mos ketë nevojë për viktima. Mjafton përvoja botërore për t’i dhënë zgjidhje.

 

"Panorama"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.