Drejt Republikës së Pestë

Postuar në 23 Korrik, 2016 14:40
Romeo Gurakuqi

A filloi sot, më 22 korrik 2016, Republika e Pestë e Shqipërisë? Sikur të ishte shkruar së paku edhe një kapitull i tekstit kushtetues, riformatuar sistemi i qeverisjes dhe sikur të ishte shmangur kontrolli politik i partive politike nga sistemi i drejtësisë, unë them që po. Në fakt, është rishkruar vetëm funksionimi i njërit prej pushteteve: Qeverisja dhe disiplinimi i pushtetit të tretë, sistemit të drejtësisë. Republika mbetet edhe më tutje një Republikë Parlamentare me një Figurehead President (në pikë- pamje të së drejtës kushtetuese), madje pushtetet e Kreut të Shtetit janë zvogëluar edhe më tutje, në aspektin e prerogativave qeverisëse dhe disiplinuese të tij në sistemin e drejtësisë.

Një prej objektivave që do të duhej të kishte reforma institucionale e republikës, do të duhej të ishte zvogëlimi ose balancimi përmes një pushteti të dytë të zgjedhur drejtpërdrejt nga populli, i tagreve të partive politike përmes Parlamentit, mbi pushtetet e tjera të pavarura. Por kjo sipërmarrje ishte jashtë objektivave të reformatorëve. Ekuilibrat në Shqipëri janë shumë të brishtë, burrat e shtetit mungojnë, vizionet e politikanëve janë deri te pragu i shtëpive të tyre dhe grupimeve respektive, ndaj ata s’mund ta bënin reformimin të shënuar historik.

Mund të kishim sot Republikë të V-të, sikur Kushtetuta të përmbyllej me rishkrimin edhe të kapitullit që i përket Kreut të Shtetit, zgjedhjes së tij drejtpërdrejt nga populli, rritjes së prerogativave të tij, edhe në lidhje mbi pushtetin e Drejtësisë, të shmangies sa të ishte e mundshme të rolit të partive politike dhe shkrimit të një kapitulli të posaçëm në Kushtetutë, me parimet e një statuti model të partive politike.

Pushtetet që do të duhej të merrte Presidenti i një Republike Parlamentare me elemente të gjysmëpresidencializmit (sikur konstitucionalistët ta rishkruanin kapitullin, respektin dhe varësitë që derivonin) në sistemin e drejtësisë, u kaluan tashmë partive politike me konsensus, element ky që është dëshpërim i mëtejshme për publikun. U shmang përpjekja e Kryeministrit Rama për ta kapur njëanshmërisht sistemin e drejtësisë, përmes mekanizmave të ndërtuar nga hartuesit e tij të posaçëm të projektit; Në fazën e parë të oponencës bazuar në rekomandimet e “Venecias”, opozita luajti një rol pozitiv, balancues, të bazuar në doktrinë.

Ndërhyrja e opozitës në këtë fazë ka qenë plotësisht në funksion të interesave të publikut; ishte oponencë për ndërtimin e një republike të ndershme, të pakapur nga qeveria dhe të dekriminalizuar. Pjesa fundore e ndërhyrjes së opozitës, besoj se ishte e tepruar dhe ngjau të ishte më shumë një kujdes për të plotësuar ca kërkesa e interesa partikulariste brenda saj, sesa një ndërhyrje e arsyeshme dhe e bazuar në doktrinë. Mbi të gjitha sensi, marrja për së koti ndaj partnerëve tanë strategjikë, sajimi i dogmave qesharake për ruajtje sovranitetit, ishte përkundër filozofisë politike të një partie të qendrës së djathtë, normale dhe natyrale.

Ndërhyrja e opozitës bëri që të minimizohej, me sa kuptohet, roli i ndërkombëtarëve (përkundër vlerësimeve dhe interesave të publikut të ndërgjegjësuem që s’ka besim te partitë politike) për të bërë arbitrin në mes partive politike. Kështu, falë kësaj ndërhyrjeje të panevojshme, edhe më tutje do të kemi një tagër të posaçëm të partive politike, pozitë-opozitë, në kontrollin e sistemit të drejtësisë. Kjo është pika e dobët e reformës, që mund të ishte shmangur, sidomos nga forcat liberale dhe demokratike në Parlament. Pra, e gjithë pjesa e fundit e konfliktit që mbajti pezull tensionin politik në vend, ka qenë për kontrollin e partive politike mbi dy organet qeverisë të Gjyqësorit (KLGJ) dhe të Qeverisë së Organit të Hetimit (KLP).

Një luftë për të dalë sa më të fituar nga ndryshimi i status quo-së në Trustin e drejtësisë shqiptare dhe për rikapur pozicionet në sistemin e ri institucional. Ndërkohë, Reforma në sistemin e Drejtë- sisë është një ndërhyrje krejtësisht e veçantë, në një Republikë të dështuar Parlamentare, të deformuar dhe zhbalancuar me ndërhyrjet antidoktrinore, të bëra në kohë, pikërisht prej partive politike, gati armike njëra me tjetrën, por që merreshin vesh shumë mirë për të rritur rolin e tyre kontrollues, sipas frekuencës së të qenit në qeveri dhe opozitë, mbi pushtetet e pavarura.

Ata kishin krijuar një sistem të kalbur të drejtësisë, korruptiv dhe të integruar me strukturat e kriminalizuara politike, me të cilat shkëmbenin interesa, para dhe favore përmes kanaleve të padukshme. Sistemi i ri këtë do të priret ta ndalojë. Disa organe speciale të hetimit, me ndihmën e partnerëve, do të jenë instrumente që do të përpiqen ta pastrojnë qeverisjen në Shqipëri dhe do të mbrojnë publikun. Kësisoj, Reforma në Drejtësi është një zhvillim pozitiv, sepse në një Republikë të dobët Parlamentare ka ndërtuar një sistem filtrues të rreptë mbi pushtetin e tretë. Qeverisja dhe disiplina e sistemit të drejtë- sisë do të jetë tashmë përmes një numri filtrash, kufizash dhe kontrollesh që nuk janë më në një dorë të vetme.

Ajo qeverisje dhe filtrim i drejtësisë mund të ishte edhe më e rëndësishme dhe më e efektshme, sikur roli i aleatëve që krijuan dhe mbajnë në këmbë shtetin dhe demokracinë shqiptare, të ishte edhe më i madh, roli i partive politike edhe më i vogël, dhe pushteti i një presidenti të zgjedhur nga populli të zëvendësonte rolin e partive politike. Ajo reformë do të duhet të shoqërohet me ndërtimin e një kuadri ligjor plotësues, i cili është tashmë i gatshëm. Sfida nga e cila do të varet suksesi, do të jetë maturia, kujdesi, implementimi i zgjuar dhe pa hakmarrje. Kujtoj se sfida e deritanishme që s’ka ditur Kryeministri Edi Rama ta zgjidhë në implementimin e “Rule of Law”, ka qenë aventurizmi, hakmarrja e njëanshme, humbja e balancave, selektimi shpëtues i të fortëve dhe goditja ndaj njerëzve të dobët. Kjo nuk duhet të ndodhë më: Shteti duhet të kujdeset që trajtojë më shumë kujdes njerëzit e varfër të shoqërisë.

Duhet të ndodhë evolucion dhe jo revolucion jakobinist. Ndërkohë, transferimi i pushteteve, sidomos nga institucionet që mbrojnë shtetin, gjegjësisht nga Prokuroria e Krimeve të Rënda drejt Prokurorisë Speciale, mbetet një sfidë që kërkon zgjidhje të studiuar dhe menduar mjaft mirë. Aty qëndron mbajtja e shtetit në këmbë në luftën kundër krimit të organizuar dhe politikanë të korruptuar dhe atentatorë. Ndaj, ruajtja e rekordeve shtetërore dhe mbrojtja e njerëzve të spikatur të ligjit, mbetet një sfidë e një politike të mençur dhe atdhedashëse.

Republika e Pestë është në rrugën e ardhjes në Shqipëri, por ajo është ende larg shfaqjes në kthesën e fundit të vendit adriatikas. Problemi që del sot para Shqipërisë është: a mundet kjo klasë politike dhe ky parlament, kaq shumë i kriminalizuar, të ndërtojë pushtetin e ri të drejtësisë së reformuar? A mundet që sistemi i ri i drejtësisë të ketë sukses me një set partish politike kaq shumë problematike? A duhet te ky ndryshim shumë i rëndë- sishëm kushtetues të shoqërohet me një thirrje për sovranin, pra me zgjedhje të parakohshme, për të ngarkuar klasën e re dirigjuese që do ta implementojë reformën? Këto janë detyrat e kësaj vere të nxehtë. Është bërë veç hapi i parë. E marta e ardhshme duhet të jetë ditë mendimesh të thella.

"Panorama"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.