Kush nuk e do realisht konsensusin? PD-LSI shprehen dakord për negociata të hapura, me praninë e medias
Në konferencën e ditës së sotm, kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, ftoi për zhvillimin e negociatave me praninë e mediave. “Ekspertët negociatorë janë të mandatuar të ushtrojnë qëndrimet konsensuale vetëm mbi propozimin hibrid të Victoria Nuland. E ftoj këtë tryezë të vazhdojë punën dhe ajo që unë kërkoj është që diskutimet tashmë t’i bëjnë të hapura dhe transparente për mediat dhe qytetarët. Kjo seancë nuk do të mbyllet pa miratimin e kësaj reforme. Kuvendi do ta kthejë ditën e enjte në një ditë suksesi kombëtar. Përse për dy elementë mos të arrijnë konsensusin tani, jo nesër”, tha Meta.
Kësaj ftese iu përgjigj pozitivisht Partia Demokratike:
“Partia Demokratike vlerëson propozimin e Kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta dhe shpreh gatishmërinë për t’u ulur menjëherë në tryezën e bisedimeve me negociatorët e mazhorancës dhe ekspertet e huaj për të konkluduar pozitivisht me zgjidhje, për dy çështjet e mbetura, që u dakordësuan mbrëmë, e më pas papritur u zhbënë në orët e vona të natës.
Me qëllim që negociatat të jenë transparente dhe në sytë e mbarë shqiptarëve PD mbështet propozimin që këto negociata të jenë hapura për median.
Zgjidhja është afër dhe Partia Demokratike është gati të japë edhe njëherë kontributin e saj pozitiv për një draft kushtetues sipas propozimit hibrid dhe në përputhje të plotë me Komisionin e Venecias.
Shqiptaret nuk meritojne provokime të ulëta dhe as lojera politike me reformën në drejtësi, ndaj ftojmë mazhorancen të ulemi së bashku dhe të negociojmë në kushte transparence totale para shqiptareve për t’u dhënë zgjidhjen që ata meritojnë”, thuhet në njoftimin e selisë blu.
Partia Socialiste nuk ka reaguar. Një hap pozitiv në funksion të transparencës.
Add new comment