Referendumi si procedurë krejtësisht demokratike
(Një analizë e shkrimit të Artan Fugës "Referendumi si procedurë jodemokratike, populli voton me ndjenjë jo me mendje")
Në një shkrim të botuar pak ditë më parë në shumë gazeta të Tiranës, eseisti, filozofi, profesori, akademiku, Artan Fuga, analizoi referendumin që u zhvillua në Britaninë e Madhe, lidhur me qëndrimin apo jo të saj në Bashkimin Evropian. Me një stil prej humoristi, që të bën aty për aty për vete, analizon, tallet dhe e kritikon referendumet, duke dhënë edhe mendime universale për to e duke vazhduar, kështu, një traditë tonën që i japim leksione botës, për të cilën dimë aq pak dhe flasim aq shumë. Titullit: "Referendumi si procedurë jodemokratike, populli voton me ndjenjë jo me mendje", Z. Fuga i përshtat me besnikëri edhe tekstin i cili, duke filluar me titullin e duke vazhduar dhe shkuar në fund, duket se nuk ka rresht që të mos të të shkaktojë reagim si diçka e palogjikshme dhe jashtë së vërtetës, si diçka e dëmshme, sepse u ndryshon vendet demokracisë dhe diktaturës.
Ja si e arsyeton Z. Fuga mendimin se referendumi nuk është procedurë demokratike: "Referendumi nuk eshte ndonje forme shume e zhvilluar e demokracise. Mos kini ndonje iluzion jo! Pse? Sepse vota e nje budalle vlen sa e nje te mencuri, vota e nje pijaneci vlen sa ajo e nje esulli, vota e nje burgaxhiu per vjedhje sa vota e njeriut te ndershem".
Ky pohim mund të shërbejë për të të vënë buzën në gaz në çastin që e lexon, por, në të vërtetë, është një trivialitet që nuk ka nevojë të përmendet. Që vota e një budallai barazohet me atë të të një të mençuri, nuk është karakteristikë vetëm e referendumeve, por edhe e zgjedhjeve në përgjithësi, kur çdo njeri ka të drejtën e votës e, prandaj, mos vallë edhe zgjedhjet, duke përfshirë edhe ato parlamentaret, nuk janë procedura demokratike e, për pasojë nuk duhen bërë fare, apo duhet vepruar siç veprohej shekuj të shkuar në shumë vende të botës, kur përjashtoheshin nga votimet shtresa e grupe të shumta shoqërore "të padenja për ndikuar mbi fatet e shoqërisë"? Dihet se vendosja e një diçkaje me zgjedhje të përgjithshme, pra edhe me referendum, nuk është pa të meta dhe nuk jep gjithnjë rezultatin më të mirë, por asnjë formë tjetër nuk është në gjendje ta japë atë rezultat. Filozofi i madh rus i anarkizmit, Peter Kropotkin, thotë se ligji i shumicës është ligji i mediokritetit, dhe ka të drejtë, në shumë raste përfundimet e ligjit të shumicës janë të gabuara dhe, në mbështetje të saj, Gandi thotë se mund të jepen shembuj pafund në të cilët të tregohen se aktet e shumicës kanë qenë të gabuara dhe ato të pakicës të drejta. Të gjitha këto janë të vërteta dhe prandaj Çërçilli u thoshte me ironi atyre që kritikonin demokracinë: “Shumë forma qeverisje janë provuar në këtë botë... Asnjë nuk pretendon që demokracia të jetë e përsosur dhe krejtësisht e mençur. Vërtet, është thënë se demokracia është forma më e keqe e qeverisjes por, po të përjashtojmë të gjitha format e tjera që janë eksperimentuar deri sot”. Pra, me gjithë të këqijat e brendshme dhe të pa shmangshme që ka, demokracia dhe zgjedhjet që bëhen me anë të votimeve janë format më të mira të qeverisjes të provuara deri sot. Të metat e zgjedhjeve dhe e referendumeve nuk janë aq ngase në to marrin pjesë të gjithë: të mirë e të këqij, të mençur dhe budallenj, të ditur dhe të paditur, të ndershëm e të pandershëm, por se në to, për të fituar, forca të ndryshme politike që marrin pjesë në to, përdornin forma nga më të ndyrat, që nga gënjeshtrat dhe mashtrimet e propagandës që bëjnë edhe të mençurit budallenj, e deri te kërcënimet fizike të kundërshtarit dhe, në fund, edhe vjedhje të votave, që, të gjitha këto, janë aq më të shumta e aq më vulgare e sa më e prapambetur të jetë shoqëria.
A është referendumi formë demokratike e qeverisjes? Në qoftë se zgjedhjet parlamentare janë formë demokratike e qeverisjes dhe përfaqësuesit e zgjedhur në to vendosin për fatet e vendit, forma e referendumit, që është si të thuash demokraci e drejtpërdrejtë, është edhe më shumë demokratike. Në qoftë se ne nuk bëjmë referendume dhe Zvicra bën disa të tilla në vit, mos vallë do të thotë se ne kemi demokraci më të zhvilluar se Zvicra?
Grekët e lashtë thotë Z. Fuga nuk bënin referendume. Grekët e lashtë vërtet nuk bënin referendume, por ata nuk kishin nevojë të bënin referendume, sepse kishin demokraci të drejtpërdrejtë dhe jo demokraci me përfaqësues, siç ka sot bota nga halli. Vetë mbledhjet që bënte populli në atë kohë për marrje vendimesh ishin referendume. Sipas Z. Fuga, të marrët e vendimeve nga populli dhe jo nga politikanët qenka mungesë zotësie e politikanëve që nuk markan dot vetë vendime, "ndonëse paguhen për këtë!". Kështu, del që shtetet diktatoriale, ku vendimet merren vetëm nga drejtuesit, madje nga vetëm një prej tyre, nga diktatori, paskan udhëheqës të zotë, nga ata që nuk e hanë bukën kot dhe këto shtete paskan edhe sisteme të zhvilluara demokratike!
Sa më shumë referendume të bëjë shteti, për sa më shumë probleme e çështje të përbashkëta që ka shoqëria, me përjashtim të atyre që kanë të bëjnë me liritë dhe të drejtat themelore të njeriut, aq më demokratik është. Shteti nuk mund të bëjë referendume për lejimin apo jo të së drejtës së fjalës, të së drejtës së mbledhjes, të së drejtës së fesë, për diskriminime për racën apo etninë, për të drejtën e pronës etj, sepse këto hyjnë në ato që përbëjnë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut. Për shembull, shteti nuk mund të bëjë një referendum në të cilin të shtrohet pyetje "Doni që të shpronësohen 100 familjet më të pasura shqiptare dhe me pasuritë e tyre të pronësohen 100000 familjet më të varfra?", sepse rezultati i referendumit do të ishte "PO", por ky rezultat do të ishte në kundërshtim me liritë dhe të drejtat themelore të njeriut, ai do të cenonte shenjtërinë e pronës. Megjithatë, shtete jo demokratike kryejnë veprime të tilla pa referendume, ata ia marrin pronën njërit për t'ia dhënë tjetrit, apo të tjerëve, thjesht me vendimmarrje politikanësh. Shteti mund dhe duhet të bëjë fare mirë referendume për çështje që i përkasin të gjithë popullit. Për shembull, shteti mund të bëjë një referendum ku t'i shtrohet pyetja popullit: "A pranoni ju që nga taksat që paguani, një pjesë të merret dhe me të të financohen partitë politike?" Apo, "A pranoni ju që deputetet e Kuvendit të caktojnë vetë pagat dhe privilegjet e tyre?" Referendume të tilla janë shumë të dobishme, por ata që kanë në dorë të vendosin për bërjen e referendumeve, nuk kanë interes për kësi referendumesh dhe nuk i bëjnë.
"Njeriu eshte kontrapedal, priret te thote : jo" - thotë Z. Fuga, se përse? - vetëm ai mund ta dijë se përse populli qenka i prirë të thotë "Jo", dhe jo "Po".
Ne referendum, thotë Z. Fuga "une votoj pa e ditur sesi do te votojne te tjeret, pra votoj qorrazi". Të votosh duke ditur si do të votojnë të tjerët, do të thoka, sipas Z. Fuga, të votosh me mend. Të shkosh pas rrymës, të shkosh pas berihajt, të shkosh pa mendim individual, na qenka gjë e mirë dhe veprim i drejtë! Kur në komunizëm secili e dinte se si do të votonte tjetri dhe të gjithë votonin njëlloj nga halli, votuesit votonin me mend, sipas Z. Fuga.
"Ne referendum vendos pakica prandaj eshte anti demokratik", thotë Z. Fuga. Sesi vendoska pakica, kur në referendum ftohet i gjithë populli të marrë pjesë, edhe këtë vetëm Fuga mund ta dijë.
Shkrime të tilla të habisin jo aq për absurditetet që përmbajnë, sepse ne shoqërinë tonë gjëra të tilla janë të pranishme në mënyrë të vazhdueshme në pjesë të shtypit tonë, por, sidomos, për mënyrën se si paraqiten dhe për popullaritetin që u jepet.
Comments
shkrim i sakte
Autori argumenton seriozisht pavlefshmerine e filozofise fugiane qe ne fakt eshte krejt e mjeruar. Ne mendimin e disa specieve si puna e Fuges gjen shume cudira te cilat jane aktualisht nje kategori sofizmash si ajo breshkes qe nuk e arrin dot lepurin. Fuga ka mjaft talent per sofizma...
Add new comment