"Në Qeveri keni pasardhës të atyre që bashkëpunuan me nazistët"
Greqia kërkon përfaqësim të minoritetit grek në qeveri, ndërsa e sheh problematike në marrëdhëniet me të prezencën e pasardhësve të atyre që bashkëpunuan me nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore. Kostas Markopoulos, sekretari për marrëdhëniet me jashtë në partinë e Aleksis Cipras, Syriza, i dërguari i Kryeministrit grek në kongresin e PBDNj-së, “kërcë- noi” se rruga për në BE kalon përmes minoriteteve.
“Ne e dimë të gjithë se rruga drejt Europës kalon përmes respektimit të minoriteteve. Edhe Shqipëria ka një minoritet kombëtar pranë nesh, në Maqedoni. Edhe ai komunitet ka probleme dhe ju i kuptoni dhe kështu duhet të kuptoni dhe problemet që ka minoriteti grek në Shqipëri, në mënyrë që ne të bashkëpunojmë sa më mirë në të ardhmen”, tha i dërguari i Kryeministrit grek, Aleksis Cipras.
Për përfaqësuesin e partisë në pushtet, Syriza, prezenca e çamëve në kabinetin qeveritar është shqetë- suese dhe krijon problem në marrëdhëniet mes dy vendeve. “Ajo që krijon problem është se si është e mundur kjo dëshirë për bashkëpunim me PBDNJ, që janë pasardhës të atyre që luftuan kundër nazistëve, kur ju toleroni dhe mbani pranë jush disa pasardhës të atyre që bashkëpunuan me nazistët.
E dini fare mirë se për kë e kam fjalën. Nuk dua të fyej Shqipërinë me ato deklarata që ata kanë thënë kohët e fundit, por ata fyejnë Shqipërinë dhe rezistencën e saj në këtë luftë, dhe jo Greqinë.
Ata janë një problem. Përtej të gjithave, prezenca juaj zoti Kryeministër është e jashtëzakonshme për të ardhmen e minoritetit dhe të marrëdhënieve me Greqinë”, tha Markopoulos.
Duke u kthyer në kohë, atëherë kur ka ardhur për herë të parë në Shqipëri, në 1998-n, i dërguari i Kryeministrit grek tha se minoriteti grek ka qenë i përfaqësuar më mirë në qeverisje", raporton "Panorama".
“Në 1998-n ju kishit dy ministra, që janë prezentë, ai i shëndetit dhe dy zëvendësministra dhe me më pak fuqi në Parlament. Sot ju kemi gjashtë deputetë dhe asnjë përfaqësues në qeveri. Ky është një problem dhe mendoj se duhet përballuar. Mendoj se kjo ka ardhur nga ndërhyrjet e jashtme për të përçarë minoritetin.
Kjo gjë duhet të marrë fund. Vetëm të bashkuar mund të arrijmë gjithçka. Sepse gjithçka, do të thotë të mbështesësh të drejtat tuaja si minoritet, duke pasur edhe mbështetjen e Kryeministrit, të cilin e dëgjova vetë se si i dënon këto shkelje të të drejtave”, tha Markopoulos.
Ai kërkoi bashkim dhe kompaktibilitet të minoritetit grek në Shqipëri. “Duam që të jemi të gjithë së bashku. Qeveria aktuale greke, në ndryshim me periudhat e mëparshme, kërkon të ketë një minoritet kompakt”, tha Markopoulos.
Add new comment