Zulohet mënyra si vepruan atentatorët e Stambollit, Shërbimet turke ishin njoftuar për një sulm në aeroport
Një nga tre atentatorët e Stambollit u detyrua hidhej në erë në ambjentet e jashtme të aeroportit, për t' u dhënë mundësi dy të tjerëve të kalonin rojet e sigurisë në pikën e kontrollit. Kryeministri turk Binali Yldirim zbuloi për mediat mënyrën sesi vepruan tre kamikazët për të çarë kordonin e sigurisë para se të hidhnin veten në erë. "Kur terroristët panë se nuk mund të kalonin nga skanerët dhe sistemi i sigurisë vendosën që njëri prej tyre të hidhej në erë jashtë aeroportit në mënyrë që të krijohej panik dhe dy të tjerët të kishin mundësi të futeshin në sallën e fluturimeve dhe të qëllonin mbi udhëtarët"- theksoi kryeministri turk. Kamerat e sigurisë së aeroportit kanë regjistruar hyrjen e dy atentatorëve, njëri i veshur me një xhup të zi dhe në pamje i qetë, ndërsa tjetri po ashtu me një veshje të zezë, poshtë së cilës kishte brezin shpërthyes. Vlen të theksohet se Shërbimet Sekrete turke ishin njoftuar para 20 ditësh për mundësinë e një sulmi terrorist, ku në listën e objekteve ishte i përfshirë edhe aeroporti i Stambollit.
Add new comment