Merkel i buzëqesh, Haxhinasto e shet si takim me rëndësi për Shqipërinë
Një foto me Obamën apo Merkelin vlen shumë për politikanë të vendeve të vogla dhe specifikisht për karaktere si ministrat apo "udhëheqësit" shqiptarë që në rastin më të parë mundohen të kapin nga xhaketa udhëheqësit e shteteve të rëndësishme për t'i shkëputur qoftë edhe një foto. Kështu e ka shitur edhe ministri i Transporteve, Edmond Haxinasto përshëndetjen me kancelaren Merkel në takimin e “Shoqatës së Sipërmarrësve Gjermanë”, ku pjesmarrës ishin 3000 nga kompanitë më të mëdha të Gjermanisë. Ministria e Transporteve njoftoi se "gjate punimeve të ketij forumi të rëndësishëm, Ministri Haxhinasto pati një takim të shkurtër me Kancelaren Merkel, fokusuar në procesin e Berlinit dhe impaktin e tij për Shqipërinë. Kancelarja Merkel theksoi se Samiti i Parisit i 4 korrikut, organizohet pikërisht për të rishprehur angazhimin konkret të BE për vendet e rajonit të Ballkanit". Meqë doli dhe fotoja, ministri e quan të kryer shëtitjen e tij në Gjermani ku thotë se foli me Merkelin për procesin e Berlinit. Mës në njoftim ministria fut edhe një fjali të tipit "Një ngjarje e tillë si Samiti i Parisit, ku pritet të deklarohet zyrtarisht një grand evropian për ndërtimin e linjës hekurudhore Tiranë-Rinas-Durrës, është shumë e rëndësishme, veçanërisht në kontekstin e zhvillimeve brënda BE, pas referendumit britanik për daljen prej tij". Sintezë kjo e mendimit politik të ministrit Haxhinasto dhe linjës që Shqipëria po ndjek në zhvillimet globale falë mençurisë së klasës politike. Ndryshimet pas takimit Merkel-Haxhinasto ndoshta nuk do jenë të menjëhershme por me kohën do jenë një realitet i prekshëm.
Add new comment