Zbulohet një Fazë e Katërt e Jetës: Spiralja e Vdekjes?
A mund ta parashikojmë se kur do të vdesim? Deri më sot jo dhe kjo është siç thonë e “bukura e jetës”. Por shkencëtarët po ecin shpejt drejt një modeli që mund të çojë në parashikimin e fundit tonë, duke hapur udhën për rrjedhime jo shumë të dallueshme tani.
Deri në vitet ’90 biologët thoshin se ka dy faza themelore të jetës: fëmijëria dhe mosha e rritur. Kjo është shumë e qartë, por sipas biologëve, fëmijëria karakterizohet nga një rritje e shpejtë dhe zhvillim dhe ajo mbylet në momentin e maturimit seksual. Probabiteti i vdekshmërisë gjatë kësaj faze është i ulët.
Mosha e rritur nis me pjekurinë seksuale dhe në këtë fazë po ashtu propabiliteti i vdekjes është i ulët. Por vitet ikin dhe çdo gjë degradon. Edhe trupi ynë, që i humbet shanset sa më shumë ikin vitet.
Pas viteve ’90 biologët shtuan edhe një fazë tjetër: Mosha e tretë, apo jeta e vonë. Siç merret me mend kjo është pleqëria, kur njerëzit janë në finish. Në termat e biologëve dhe në kuptim të këtij përkufizimi, kjo fazë nënkupton rritjen e propabilitetit të vdekshmërisë së individit: një njeri i moshës 60 vjeçare ka më shumë mundësi nga një vdekje e menjëhershme sesa një 50 vjeçar, ndërkohë që një 90 vjeçar qëndron aty – aty me një 100 vjeçar. Ka pra një periudhë kohore ku ka një qëndrueshmëri e mandej disa momente kritike në të cilat njeriu ekspozohet ndaj vdekjes më shumë sesa në të tjerë. Por kur ndodhin këto pauza është ende e debatueshme.
Për të sqaruar këtë çështje shkencëtarë të universitetit të California në Irvine, morën në studim mizat e frutave – Drosophilia.
U morën 2 828 femra dhe u vendosën secila në mjedis me dy meshkuj. Femrat zhvendoseshin çdo ditë në epruveta të reja dhe u numëruan vezët që ato linin pas deri në momentin e vdekjes, që te këto insekte ndodh natyralisht pas disa javësh nga momenti i lindjes. Nga studimi i kryer u vu re se te femrat që ishin dy javë para vdekjes numri i vezëve në një ditë ra. Por kjo ishte konsistente jo në lidhje me moshën, por me faktin se insektit po i vinte vdekja. P.sh një insekt në moshën 60 ditore po i afrohej vdekjes, sërish numri i vezëve të lëshuara prej saj binte. E njëjta gjë ndodhte edhe me një insekt të moshës 15 ditore që po i drejtohej vdekjes së parakohshme. Për shekncëtarët kjo sjellje fiziologjike përkufizon një fazë të katërt të jetës së një specieje, që dallon nga fëmijëria, mosha e rritur, apo jeta e vonët. Ajo u quajt Spiralja e Vdekjes. Ky moment u konstatua në vitin 2007 dhe qysh atëherë janë marrë më shumë të dhëna siç ishin p.sh ato në vitin 2012, kur u vu re se e njëjta rënie në fertilitetin e mizave meshkuj, përkonte me afrimin e vdekjes së tyre.
Çka do të thotë se është i vërtetë përgjithësimi se me plakjen bie edhe aftësia riprodhuese e meshkujve, por kjo aftësi bie shumë edhe tek individë që po shkojnë drejt vdekjes, pavarësisht moshës. Ky model sjelljeje padyshim jep mundësi teorike që shkencëtarët të parashikojnë vdekjen e një mize në të cilën konstatohet kjo rënie e fertilitetit. “Po parashikojmë 80% të vdekjeve me saktësi”, citon BBC-ja një nga shkencëtarët që merren me studimin në fjalë.
Por jo të gjithë bien dakord. James Curtsinger nga universiteti i Minnesota në SHBA mendon se nuk bëhet fjalë për një fazë të katërt. Ai nuk bie dakord as me emërtimin Spirale e Vdekjes, ndonëse konsensusi për pauzat e mortaliteti qëndron. Si mund të gjejë shpjegim apo analogji te njerëzit ky eksperiment? Është ende herët, por fakti që çdo gjë lidhet me fertilitetin është shumë domethënës. Edhe pse njeriu është ndoshta e vetmja specie që kryen planifikim familjar siç njihet deri më tani, apo që kryen marrëdhënie seksuale përtej nevojave riprodhuese.
http://www.bbc.com/earth/story/20160620-can-we-predict-the-time-of-our-d...
Add new comment