Pajisja përgjuese, kryeministri i kërkon ndjesë publike Italisë
Pas veprimeve të sotme të prokurorisë dhe shkarkimit, me vendim gjykate të drejtorit të Policisë, Haki Çako, kryeministri ka reaguar me këtë deklaratë:
"Çka ka ndodhur sot me pezullimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe ndalimin e dy drejtuesve të saj, më imponon t’i kërkoj ndjesë publikisht qeverisë mike dhe partnere të Italisë. Kjo ndodhi është e pajustifikueshme dhe për Shqipërinë është një tjetër kambanë që bie për emergjencën kombëtare të Reformës në Drejtësi.
Mbroj fort pikëpamjen se shpjegimet e dhëna nga Italia përmes ambasadorit italian, pa asnjë detyrim, por vetëm si shprehje e miqësisë së sinqertë dhe vullnetit më të mirë, për të vendosur nën dritën e fakteve legjendën politike të përgjimeve, duhet të kishin mjaftuar që institucioni shqiptar i akuzës të mos përfshihej në një makinacion kaq të rëndomtë politik.
Por fatkeqësisht nuk ka ndodhur kështu dhe sot, miqtë e partnerët tanë të provuar në çdo ditë të vështirë të Shqipërisë së këtyre njëzetë e pesë vjetëve, kanë të drejtë të ndjehen të lënduar nga përfshirja e tyre indirekte në një hetim absurd si edhe, më zi akoma, nga veprimi ekstrem që ka ndërmarrë sot prokuroria.
Duke u kërkuar ndjesë për këtë “çudi” që e ka dëmtuar jo pak vazhdën e një bashkëpunimi të shkëlqyer, prej të cilit në gjithë këto vite, Shqipëria e shqiptarët kanë përfituar aq shumë, sa kurrë nuk do të mund të lahemi me fqinjët tanë të mirë, dua t’i siguroj miqtë e mëdhenj dhe partnerët e paçmueshëm italianë për mirënjohjen më të thellë e konsideratën më të lartë".
Add new comment