Fundi i “Paktit” me Dëshmitë e Penalitetit
Elvis Roshi tashmë është një ish-kryetar i Bashkisë së Kavajës. Kokfortësia e pushtetit, kryeministrit dhe Partisë Socialiste për të bërë sikur nuk di gjë, apo për të mbrojtur një njeriun e vet, nuk ka fituar mbi domosdoshmërinë e një standardi që mendohej se ishte i panegociueshëm. Elvis Roshi ka deklaruar se është dënuar pa dijeninë e tij dhe për këtë ka dhënë dorëheqjen nga detyra. Pak ditë më parë u bë lajm në media se ai “nuk mbante mend pse ishte dënuar në Gjermani”, ndërkohë që historisë së ndryshimit të emrit, iu mbivendos edhe ajo e ndryshimit të mbiemrit. Një shqiptar pra me probleme të së shkuarës si shumëkush që ka marrë udhët e emigracionit. Por aspekti njerëzor është njëra anë dhe ai politik e ligjor tjetër.
Elvis Roshi i ka njohur problemet e veta, kjo s’ka asnjë dyshim. Dhe këto i ka njohur edhe kryeministri. Ndaj sot, u gjet një vendim gjykate, kur Roshi ishte i mitur – pra sërish i papërgjegjshëm për gabimet e veta – që Edi Rama të luajë teatrin e radhës. Teatrin e fjalës, atë të hartimeve politiko-morale, ku përzihet keqardhja me naivitetin, ku emocioni u besohet qytetarëve besëmirë, por që kalohet në vend të dytë për t’i lënë vendin ligjit dhe logjikës. Gjithnjë sepse ky është kriter që përmbush moton zyrtare: Ne bëjmë shtet.
Kryeministri publikoi një reagim mbushur me fjali që i ngjajnë ato të një dhaskali të dhembshur; bën Pilatin, por amniston edhe emërndryshuarit e tjerë, shpreh padjeninë e plotë nëse po flitet për Elvisin, apo Ervisin, i cili “ka bërë një punë të jashtëzakonshme për Kavajën”, por shpreh edhe vullnetin e “palëkundur” pasi shihet një vendim gjykate.
Ja një pasazh: “Duke i njohur dhe respektuar gjithnjë vështirësitë që të rinjtë shqiptarë kanë kaluar përmes dallgëve të larta të jetesës emigracionit, kam besuar dhe besoj se historia e Elvisit, apo Ervinit, ka qenë thjesht njëra ndër historitë e panumërta të djemve që janë përplasur nëpër ato dallgë, duke jetuar mes ëndrrës për t’ia dalë dhe makthit të rikthimit mbrapsht. Ndërrime emri për të mos u kthyer mbrapsht, përzënie për qëndrim pa leje, kalime ilegale kufiri e me radhë, janë akte të paligjshme që në vitet ’90 i kanë bërë shumë e e shumë emigrantë në rrugën drejt ëndrrave të tyre”. Fjali që e bëjnë Flamur Nokën të duket një nga heronjtë e viteve ’90.
Për të lënë mënjanë litaninë endosocialiste të moralit dhe predikimit, se kush dhe çfarë bën kryeministri, meriton vëmendje edhe epilogu për ish-kryetarin e Bashkisë së Kavajës: “Besoj po ashtu se edhe vetë dorëheqja e Elvis Roshit sot, u jep të gjithëve një tjetër provë të qartë se në Partinë Socialiste në këta 32 muaj qeverisje ka fituar një parim i panegociueshëm: Kur një fakt i provuar nxjerr në pah një problem që i takon drejtësisë, pushteti ynë nuk futet kurrë mes drejtësisë dhe cilitdo ndër ne”.
Duhet një fakt i provuar që shqiptarët të heqin nga vetja barrën e asaj që solli qeverisja e Edi Ramës. Për kryeministrin mjafton dëshmia e penalitetit, e lëshuar nga një qeveri që ai e akuzonte për gjithçka, ndërkohë që të gjithë duhet të gjejnë fakte të provuara që ta detyrojnë Edi Ramën, të heqë dorë nga mbrojtja e njerëzve me të cilin mori pushtetin. Duhen fakte të provuara që t’i japin kryeministrit mundësinë të bëjë edhe njëherë Pilatin krahas lirisë për të shitur parime dhe moral.
Në dritën e këtij rasti të Roshit, a vlen më argumenti i Dëshmisë së Penalitetit? Le ta na e thotë vetë kryeministri, i cili e përdor këtë letër, si eufemizëm i njeriu që njeh institucionet.
Ky nuk është një standard europian. Pasi e dimë të gjithë sesi operohet në vendet perëndimore, apo në Francën ku ka jetuar ca kohë rrugëve, kryeministri shqiptar. Por edhe kështu fakte të provuara ka dhe një ndër ta është ai se si asnjëherë tjetër në 25 vite, një ekip qeverisës, një mazhorancë, decimohet rrugës për shkak të asaj që përfaqësues të saj kanë fshehur. Reduktohet, tkurret, zhbëhet dhe gërryhet, jo nga vendimet e gjykatave, por nga presioni i opinionit publik.
Grupi Parlamentar nuk është ai që ishte, as përfaqësuesit e pushtetit vendor. Bashkëpunëtori më i ngushtë i kryeministrit, Koço Kokëdhima, u kap në shkelje të ligjit, ashtu siç ishte pretenduar nga ata që kryeministri bën sikur nuk i dëgjon, njësoj sikur FMN-ja që mban gjallë qeverinë e Edi Ramës, po deklaron publikisht se çfarë bëjnë tatimet e kësaj qeverie.
Një politikan ndërhyn në kohë, për të shmangur pasojat për vendin dhe kostot për veten. Një politikan ka luksin e inicimit të akteve dhe nismave që ndryshojnë rrjedhën e ujërave të turbullta.
Ndryshe me kryeministrin shqiptar që sillet si gjykatës dhe skllav procedurash: po pret faktin e provuar të një qeverie që mbërrin duke u zvarritur në fundin e vet. Për të marrë me vete edhe “sekretin” e Rilindjes që është një pakt me Dëshmitë e Penalitetit.
Add new comment