Kryeministri pranon: Reforma në drejtësi, e pandarë nga reforma zgjedhore. Por zgjedh zyrën e tij si vendtakimi me kreun e PD-së
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka caktuar sot drejtoren e Kabinetit, Vali Bizhga, që të ftojë zyrtarisht për takim, kryetarin e PD-së, Lulzim Basha. Formalisht letra i është dërguar drejtores së Kabinetit të PD-së, Greta Deljani dhe në të thuhet: “Duke marrë shkas nga shprehja publike e gatishmërisë së zotit Lulzim Basha për t'u takuar me Kryeministrin, zotin Edi Rama, jam e autorizuar t'ju komunikoj se ftesa që Kryeministri i ka dërguar zotit Basha mbetet gjithmonë e hapur. Kryeministri është i gatshëm të takohet me Kryetarin e Partisë Demokratike që nesër në orën 11:00. Zoti Basha është sigurisht i mirëpritur të caktojë orën e takimit në çdo rast.
Duke qenë se vendi i takimit është lënë në zgjedhjen e Kryeministrit, ai mund të zhvillohet në Sallën e Hartave, në godinën e Këshillit të Ministrave. Kryeministri do të jetë i shoqëruar nga Kryetari i Komisionit parlamentar për Reformën në Drejtësi, Z. Fatmir Xhafaj, si edhe nga Kryetari i Komisionit parlamentar për Reformën Zgjedhore, Z. Bashkim Fino. Zoti Basha është mëse i mirëpritur të vijë i shoqëruar sipas dëshirës së tij. Në kuadër të këtij takimi, Kryeministri do të dëshironte të trajtonte sëbashku me Kryetarin e Partisë Demokratike, çështjen e Reformës në Drejtësi, atë të Reformës Zgjedhore dhe çdo çështje tjetër me rëndësi dhe interes të përbashkët”.
Dy hollësi që bien në sy: vendi i takimit është në zyrën e kryeministrit, aty ku priten edhe ata që vizitojnë Shqipërinë. Ndërkohë PD-ja është palë e barabartë në proces dhe njësoj si në rastin e marrëdhënieve me Ilir Metën, të cilit i shkon në zyrë, takimi mund të zhvillohej në një ambient “neutral” për nga simbolika, siç bëhen takimet e koalicionit qeverisës.
Së dyti, kryeministri ka pranuar që të bashkojë në një diskutim reformën në drejtësi me reformën zgjedhore.
Ka pra një ofertë "kompromisi" dhe mbetet për t’u parë reagimi i PD-së.
Add new comment