Greqia ia del të marrë 10.3 miliardë euro dhe lehtësim të borxhit
Ministrat e financave të eurozonës kanë arritur një marrëveshje për lehtësimin e borxhit grek, si dhe çlirimin e 10,3 miliardë eurove nga kredia e akorduar për shpëtimin e Greqisë. Pas 11 orë diskutimesh, ministrat kanë vendosur që transhi i kredisë të jepet në disa duar dhe pjesa më e madhe, me vlerë 7,5 miliardë euro të disbursohet në muajin qershor.
Pjesa tjetër do të jepet muajt e ardhshëm, dhe pasi Greqia të përmbushë disa kushte paraprake.Presidenti i Eurozonës, Jerun Dijsselbloem, deklaroi pas mbledhjes se është arritur marrëveshje edhe në çështjen e borxhit grek. Sipas tij kjo zgjidhje do të jetë në tri faza, me masa afatshkurtër dhe afatmesme, por edhe një mekanizëm në plan afagjatë.Të gjitha palët shprehën kënaqësinë për arritjen e marrëveshjes.Presidenti i Bashkimit Europian, Donald Tusk, tha se “është një mesazh i fuqishëm stabiliteti për Greqinë, Europën, por edhe për ekonominë botërore”.
Shefi i departamentit për Europën i Fondit Monetar Ndërkombëtar, Paul Thomsen, nënvizoi faktin se “të gjithë e pranojnë që Greqia nevojitet lehtësim të borxhit të vet dhe se ky borxh nuk mund të bëhet i qëndrueshëm vetëm me përpjekjet e Greqisë”. Thomsen shtoi se FMN do të vazhdojë të jetë pjesë e programit grek të shpëtimit, por e kushtëzoi këtë me dy hapa: Një analizë e re për qëndrueshmërinë e borxhit grek dhe shqyrtimi i masave për borxhin që u vendosën në takimin e Eurogrupit.
Ministri grek i financave, Euklidis Tsakalotos, theksoi se “ishte një moment i rëndësishëm për Greqinë”. “Është fillimi i fundit për recesionin në Greqi. Fondi që do të disbursohet do të zbusë efektin e tkurrjes ekonomike për shkak të masave që mortëm”, shtoi Tsakalotos. Për të arritur deri në marrëveshjen e fundit, qeverisë greke iu desh të votojë të dielën një tjetër paketë masash të ashpra. Gjë që ka shtuar pakënaqësinë e qytetarëve, por edhe debatet brenda partisë SYRIZA të kryeministrit Aleksis Tsipras. Por ky i fundit ka argumentuar se masat ishin të nevojshme.
Add new comment