Roli kompromentues i policisë shqiptare në operacionin e drogës dhe pse u vonua urdhërarresti për Balilin

Postuar në 16 Maj, 2016 13:43

Urdhërarresti ndërkombëtar për Klemend Balilin pritet të lëshohet brenda kësaj jave nga autoritetet greke siç zbulon portali, "The Toc. gr", referuar burimeve të policisë greke. Në shkrim thuhet se ka interes të shihet se si do të lëvizin autoritetet shqiptare pasi të lëshohet urdhër arresti ndërkombëtar për Balilin. http://www.thetoc.gr/koinwnia/article/ti-apokaluptei-i-dikografia-gia-to.... "Respublica" u interesua pranë autoriteteve greke për rolin e policisë shqiptare në operacionin ndërkombëtar dhe mori përgjigjen se vonesat në lëshimin e urdhërarrestit ndërkombëtar lidhen me procedurat e ndjekura nga një sërë institucionesh të drejtësisë deri në vendimin e Gjykatës. E pyetur për arrestimin në Belgjikë të dy vëllezërve shqiptarë që ishin pjesë e organizatës, zyra për shtyp e Policisë së Atikës tha se prangosja e tyre është bërë nga policia belge, e cila ka qenë pjesë e operacionit. Ndërsa paqartësitë mbi rolin që ka pasur policia shqiptare në operacionin ndërkombëtar të narkotrafikut, ku rezulton i përfshirë edhe drejtori i shkarkuar i Transporteve të Sarandës, Klemend Balili, vijnë për faktin se ajo ka hezituar të ndërmarrë veprime për të arrestuar zyrtarin e LSI-së kur autoritetet greke kanë përmendur emrin e tij. Në dosjen penale, sipas citimeve të portalit grek "The Toc", ka një detaj që lidhet me qëndrimin e policisë shqiptare, kur homologët grekë u folën mbi veprimtarinë e “Kelit”, siç përmendet Balili. Përfaqësuesit e autoriteteve shqiptare, “kur dëgjuan emrin, u thanë se nevojiteshin prova të pakundërshtueshme, me qëllim që ata ta gjenin e ta arrestonin”. Dhe kjo, shpjegon "The Toc", për arsye se “Keli” sillej të kishte lidhje të fuqishme me aparatin shtetëror të vendit fqinj”.

Detaje të dosjes

Rrjeti i drogës në të cilin dyshohet se ka qenë përfshirë edhe Klemend Balili, kishte planifikuar të fuste në Francë 60 kg kokainë. Kjo ishte planifikuar të realizohej më 18 nëntor 2015. Droga ishte magazinuar në një vend të panjohur në Belgjikë dhe që andej do të dërgohej në Itali e më pas në Francë. Mirëpo masat e larta të sigurisë, pas sulmeve terroriste në Paris, që ishin kryer pesë ditë më parë, i detyruan krerët e organizatës që ta anullonin operacionin. Sipas "The Toc", operacioni financohej nga kreu shqiptar, me moshë 44 vjeç (që sipas gjithë mediave greke në fakt, është Balili). Një tjetër operacion ka dështuar sërish, në shkurt 2016. Një sasi droge do të transportohej nga Spanja për në Itali, me një kamion të transportit ndërkombëtar. Përgjegjës për sigurimin e drogës ishte një pjesëtar i rrjetit, shtetas shqiptar, me moshë 43 vjeç. Për transportin ishin destinuar 100.000 euro, nga të cilat, 20.000 do t’u jepeshin drejtuesve të mjetit dhe 80.000 do t’u shpërndaheshin pjesëtarëve të tjerë, me rol mbështetës. Kamioni u nis më 20 shkurt nga Vjena e Austrisë, hyri në Itali dhe përmes portit "Civitavecchia" mbërriti me traget në portin e Barcelonës, për të marrë ngarkesën e drogës. Mirëpo, edhe ky aksion u anulua, për shkak të kontrollit të kamionit nga autoritetet spanjolle, gjë që krijoi dyshime tek drejtuesit e rrjetit. Por edhe më herët, në prill 2015, kishte dështuar një tentativë për të transportuar drogë nga Belgjika për në kryeqytetin e Norvegjisë, Oslo, siç citon dosjen penale portali grek, "The Toc". Kamioni ishte nisur me një ngarkesë të ligjshme nga Greqia, me stacion tranzit Mynihun, ku do të shkarkohej e do të merrte një ngarkjesë tjetër, gjithashtu të ligjshme, për në Oslo. Kamioni ishte planifikuar të kalonte nga Belgjika, ku në vendet e posaçme do të fshihej sasia e drogës. Por edhe ky aksion u anulua, pasi skadoi afati i marrjes në dorëzim të ngarkesës së ligjshme. Por edhe për një arsye tjetër: Karroceria e kamionit kishte lartësi më të madhe nga sa lejohej që të qarkullonte në rrugët e Norvegjisë.

Comments

Submitted by Eskobari, ne Tirane (not verified) on

Ka shume gjasa te jete fshehur ne Tirane, mund te thone burime konfidenciale.
Pervoja ekziston: Berisha i mbajti te akuzuarit e 21 Janarit ne kryeministri, per t'ja hequr doresh ndonje veprimi te shpejte te Prokurores bjonde, tashme e pa pune, edhe nen hyqmin socialist.

Balili mund te jete fshehur ne ndonje nga sallat e rinovuara pa shpenzime publike, solidare, dhuarate, te Edi Rames.
Ose ne ndonje salle te zyrave te Kuvendit Pop.
Le te presim, sic pritem per Vellezerit Kristianedemokrate, qe kerkuan gjykim evropian te shkurtuar...
Tashme, problemi i vetem i demokracise shqiptare eshte Shukriu.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.