A kemi ende një Polici të Shtetit?
Klemend Balili duket se ka dalë nga Shqipëria dhe askush nuk di të thotë se ku ndodhet. Hamendësimet e Sali Berishës se ai është në Kubë, janë një version që kalohet në heshtje nga Policia e Shtetit me në krye Sajmir Tahirin. Por edhe nëse nuk ka dalë nga Shqipëria, e sigurtë është se Klemend Balili, një zyrtar i Lëvizjes Socialiste për Integrim, i akuzuar në mediat greke për lidhje me një fill trafiku droge, po fshihet. Zyrtari i LSI-së, bashkëpronar në hotelin “Santa Quaranta”, inauguruar nga Ilir Meta dhe Koço Kokëdhima, po fshihet edhe pse ndaj tij siç tha ministri i Drejtësisë, LSI-sti, Ylli Manjani, “nuk ka një akuzë penale”. Mund të pyetet atëherë: cila është arsyeja që z. Balili po qëndron larg “vëzhgimit policor”? Në një vend normal do të duhej kujdes në shtjellimin e versioneve për këtë zhdukje, të supozuar matanë Atlantikut, të një zyrtari, pasi fillimisht besimi i opinionit delegohet tek instituconet dhe organet ligjzbatuese. Por ky nuk është rasti.
Ditë pas dite, po zbulohet se lufta brenda koalicionit, po deshifrohet më mirë te dështimi i organizuar vetë, i policisë së Sajmir Tahirit për të kryer qoftë edhe një veprim të vetëm në kuadër të atij bashkëpunimi disamujor që deklaroi se kishte me DEA-n amerikane që inicioi këtë operacion. Ka dy ditë rresht që Partia Demokratike akuzon hapur se Klemend Balili është larguar nga vendi dhe Sajmir Tahiri, dikur një opozitar që nuk përmbahej, vetëm hesht dhe nuk është në gjendje, as ai, as policia që ka nga pas, të përgënjeshtrojë, apo të pohojë akuzat. “Kur nuk ia doli dot t'i siguronte pafajësinë Balilajt, Saimir Tahiri i krijoi kushtet dhe i dha kohë për t’u arratisur vetëm pak para se t’i dërgonte policinë të fshinte provat siç e ka tashmë zakon. Pas kësaj Tahiri vrapoi t’u thoshte mediave se në sistemin TIMS nuk rezulton që Balilaj të ketë dalë jashtë vendit. Por a nuk tha të njëjtën gjë edhe për Arben Frrokun”, tha sot në një deklaratë për shtyp, zyrtari i PD-së, Enkelejd Alibeaj.
Le ta nënvizojmë edhe njëherë se PD-ja në këtë luftë po bën diversion dhe po tregohet e pasinqertë ndaj publikut, kur edhe pse me të drejtë akuzon ministrin e Brendshëm, se ka lejuar ikjen e një personi që përflitet si pjesë e trafikut ndërkombëtar të drogës, nuk thotë asnjë fjalë për Ilir Metën, kumbarin politik të Balilit, i cili deri në momentin që flasim, është i pafajshëm. Por duke e ditur këtë, PD-së do t'i kërkohet llogari në zgjedhje, ndërkohë që institucioneve u kërkohet llogari direkt, pasi aktet e tyre kanë pasoja.
Rasti i Arben Frrokut është analogjia perfekte, që jo vetëm zbulon metodën vulgare sesi ministria e Tahirit përpiqet të mbulojë diellin me shoshë, por ndihmon njëkohësisht që të gjithë të shohin se ministri është i lidhur për këmbësh në çdo veprim të tijin. Ai është ndër ata zyrtarë që është në fokus të luftës politike PS-LSI, i përfolur në çdo lloj lidhje të mundshme, të cilat asnjëherë nuk u përgënjeshtruan dot dhe që të paktën në dy raste, në rastin e vrasjes së Elton Çiços dhe në këtë të fundit që vjen nga Greqia, nuk ka dalë dot me një qëndrim zyrtar. Ecim pas në kohë me vetëm dy raste të tjera: fshehja e urdhër arrestit të Interpolit për ish-deputetin Mark Frroku dhe dëshmia e policëve për Armando Prengën në gjyq, e bën këtë sjellje një vijë të qëndrueshme. E bën atë sistematike.
Është taksative, pasi lidhet direkt me sigurinë fizike të qytetarëve, që problemi i krijuar me Policinë e Shtetit, të trajtohet në nivelin e Sigurisë Kombëtare. Është e pamundur që një organ ligjzbatues si ky, i cili ka ekzekutuar vetë besueshmërinë, premisë e funksionimit të tij, të mund të lejohet që të vazhdojë punën, pa u kontrolluar dhe pastruar. Opozita ka në dorë instrumentin e Hetimit Parlamentar, njësoj si Presidenti atë të Këshillit të Sigurisë, të dyja ende të pakonsumuara, ndonëse akuzat po arrijnë kulmin. Cilado qoftë agjenda politike, nevoja për të kufizuar këtë që po ndodh me Policinë e Shtetit është urgjente.
Kjo “rrëmujë” kriminale nxjerr zbuluar edhe aktorët e reformës në drejtësi, ambasadorin amerikan Donald Lu dhe atë të BE-së, Romana Vlahutin. Roli i tyre për të përqendruar punën për miratimin e reformës është për t’u përshëndetur dhe mbështetja e opinionit nuk ka munguar. Por nëse ambasadori amerikan ka vendosur si standard prononcimin publik për situatën në gjyqësor, apo atë të përfshirjes në listat e kandidatëve në zgjedhje, të personave me precedentë, heshtja mbi policinë krijon idenë e një standardi të dyfishtë.
Operacioni i fundit është iniciuar nga DEA amerikane dhe nëse policia e shtetit ka bërë shurdhin apo qorrin, kësaj radhe Lu e di më mirë nga të gjithë. Është e çuditshme gjithsesi se përse për një fije trafiku që ka si drejtues shqiptarë, DEA zgjedh të nisë goditjen nga Greqia dhe në bashkëpunim me policinë greke. Ndoshta Lu e di më mirë këtë, por për sa i përket opinionit shqiptar, i mjafton përkufizimi “korrupsion në të gjitha degët e qeverisjes”. I cili mundet shumë shpejt të bëhet “kriminalizim në të gjitha degët e qeverisjes”; bashkë me shakanë cinike të deklarimeve të një politikani si Ilir Meta, që nga think tanke amerikane me emër, aty ku mund të shkosh falë lobimeve me para që nuk dihet nga vijnë, na jep leskionin se: “Ne do ta bëjmë reformën në drejtësi sepse ne jemi të ndërgjegjshëm që ne kemi nevojë për një ndryshim rrënjësor”( http://vizionplus.al/meta-drejtesia-prioritet/).
Add new comment