Padi kryetarit të Bashkisë së Tiranës nga Presidenti i Republikës. KLD-ja dënon protestën para Gjykatës Administrative

Postuar në 12 Maj, 2016 19:39

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani ka paditur kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj, për shpifje të konsumuara gjatë një interviste televizve. “Natyrisht që një njeri, kushdoqoftë ai, që vjedh, ka vetëm një emër, hajdut. Dhe unë besoj se shqiptarët nuk mund të kenë në krye të shtetit një hajdut. Hajduti e ka vendin në qeli. Prandaj kjo është një çëshjte që i kalon që sot drejtësisë. Drejtësia ka për qëllim ose të vërtetojë akuzat e Presidentit si hajdut ose përdhosësi të përballet me ligjin. Unë ftoj dhe mediat që të ndjekë me vëmendje të posaçme gjykimin dhe sjelljen e drejtësisë", citohet nga mediat Presidenti Nishani. Padia lidhet me akuzat e Veliajt se Presidenti ka përfituar në çështjen e truallit të Kishës Katolike në Elbasan.

Konferenca për shtyp e Presidentit:

Po sot, ndaj protestës së zhvilluar nga Bashkia e Tiranës përpara Gjykatës Administrative ka rreaguar me një deklaratë edhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë.

Më poshtë deklarata:

“Këshilli i Lartë i Drejtësisë, dënon çdo formë presioni, që Kryetari i Bashkisë Tiranë, dhe një grup politikanësh, ushtruan dje, më datë 11 maj 2016, ndaj Gjykatës së Apelit Administrativ, lidhur me një çështje gjyqësore, e cila është ende në gjykim.

Për Këshillin e Lartë të Drejtësisë, këto akte dhe veprime të pamenduara si duhet, sjellin destabilizim të parikuperueshëm, për sistemin gjyqësor, pasi çdo pale ndërgjyqëse në një proçes do t'i perceptojë si të drejtë të tij, kundërshtimin me protesta dhe presione politike vendimet që jepen nga gjykatat, në emër të Republikës së Shqipërisë. Veprimet e kryera ishin një presion i hapur ndaj gjyqtarëve dhe një kërcënim i pavarësisë së gjykatave.

Në protestën e tyre, Kryetari i Bashkisë Tiranë dhe eksponentë të tjerë politik, përdorën terma poshtërues për gjykatat dhe gjyqtarët që prej vitesh japin drejtësi, duke pasur si qëllim, ndërhyrjen e drejtpërdrejte në veprimtarinë e pushtetit gjyqësor, ç'ka mund të sjell veçse demotivim dhe nënshtrim të sistemit të drejtësisë. Pengimi përmes protestave, i funksionimit normal të veprimtarisë së Gjykatës Administrative të Apelit për disa orë, ndikon negativisht, në mënyrë të padrejtë, në imazhin e gjykatës dhe ul besimin e publikut në sistemin e drejtësisë.

Në një shtet demokratik, çdo drejtues institucioni dhe eksponent politik, nuk do ta çonte nëpërmend, të organizohej në atë mënyrë për të cënuar apo kërcënuar gjyqtarët në përmbushjen e detyrave të tyre Kushtetuese. Etiketimi i gjyqtareve si "të duhur" apo "të paduhur" gjatë ushtrimit te detyrës nga palët ndergjygjëse është i papranueshëm dhe i patolerueshëm.

Si kurdoherë, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, kërkon nga trupa gjyqësore të vijojë veprimtarinë e saj, duke garantuar funksionimin e shtetit të së drejtës, sigurisht, nëpërmjet rolit të pazëvendësueshëm dhe unik të sistemit gjyqësor, duke patur në fokus të punës, respektimin e procesit të drejtë gjyqësor, duke tentuar rritjen dhe cilësinë e veprimtarisë së saj gjyqësore, si dhe duke garantuar transparencë dhe përgjegjshmëri maksimale në përmbushjen e detyrave.

 

Sot Këshilli i Lartë i Drejtësisë, garanton trupën gjyqësore si dhe çdo qytetar, subjekt privat apo autoritet shtetëror se është i vendosur të vazhdojë përpjekjet e tij për konsolidimin e pavarësisë së sistemit të drejtësisë edhe ndaj ndërhyrjeve politike si dhe mirëpret çdo sugjerim për përmirësimin e standarteve të tij përmes zgjidhjeve konkrete”.

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.