Heshtje kompromisi për Balilin, po e mbrojnë të gjithë. Rama lavdëron policinë
Teksa një Drejtor i Lartë i Administratës Publike është nën akuzë si një prej drejtuesve kryesorë të një prek karteleve më të mëdha të drogës në Europë, si qeveria ashtu dhe opozita kanë devijuar deklaratat dhe diskutimet për zyrtarin që akuzohet për lidhjet me Ilir Metën dhe bashkëpronësinë e hotelit “Santa Quaranta” në bregdetin e Sarandës. Gjatë diskutimeve në seancën plenare kryeministri Edi Rama nuk tha asnjë fjalë për Drejtorin e Administratës së tij të emëruar nga LSI, duke mos atakuar aleatin e ngushtë në qeveri, Ilir Meta. Rama foli vetëm për policinë, duke e lavdëruar për punën e bërë me policitë partnere dhe duke mos mbajtur asnjë përgjegjësi politike për emërimet e zyrtarëve në administratën publike. Kryeministri bëri thjesht rolin e kryepolicit, duke harruar që është kryeministër. Nga ana tjetër edhe opozita duket se është në vështirësi për të atakuar aleatin e dikurshëm Ilir Metën. Edhe pse dihen botërisht lidhjet e Klemend Balilit me Ilir Metën, kryeministri Berisha akuzoi në parlament Koço Kokëdhimën si mbrojtës të Drejtorit të Transportit Rrugor të Sarandës. Megjithatë lidhjet e Balilit shtrihen edhe në ish-mazhorancën ose opozitën e sotme. Policia mohon të ketë një urdhër arresti, por të njëjtat burime thonë se ka një letër porosi të autoriteteve greke dhe se në skedat e policisë ka edhe një foto të Balilit me kryetarin e Parlamentit.
Add new comment