Disa fjalë për sihariqin e fundit të Sali Berishës

Postuar në 28 Prill, 2016 03:21

Ne “hakmarrësit” sot morëm sihariqin e radhës. Qenkemi në ortakëri për ndërtimin e një kulle pranë stadiumit kombëtar “Qemal Stafa”. Nuk i kemi të rralla sihariqet, por ky i sotmi është më “shtatlartë” se të tjerët, është kullë. Kemi 20 vjet që krimet dhe ndërtimet “tona” i marrim vesh nga Sali Berisha. Dhe kjo është normale. Se nga kush tjetër, përveçse nga ideatori dhe pronari i “Hakmarrjes për Drejtësi” do t’i merrnim vesh? Ai e ndien për detyrë që sa herë ndodhin krime të rënda dhe ka ndërtime të mëdha, “Hakmarrja” e tij të ketë pjesën e saj.

Është zakon i lashtë ndër shqiptarë që lajmësit diçka i jepet. Dhe ne kemi bërë sa kemi mundur, i kemi ofruar herë shumëçka e herë diçka me mirënjohjen që i takon. Po kujtojmë se për sihariqet e panumërt që kishte dhënë botërisht për ndërtime pallatesh e vilash, në shtator 2005, sapo bëri betimin si kryeministër, ia ofruam të gjitha pallatet, vilat dhe pasuritë e patundshme. Botërisht iu lutëm që vlerën e gjithë asaj pasurie ta kalonte për të ndihmuar fëmijët e shumtë të mbetur jetimë nga vëllavrasjet në Tropojë, në saje të kujdesit të tij për krahinën ku kishte lindur.

Edhe sot i takon diçka dhe ne po i ofrojmë nga kulla një apartament për çdonjërin nga zëdhënësit që prej vitesh i nxjerr në konferenca shtypi për të na dhënë sihariqin e ri. Meqë djemtë, vajzat, gratë dhe burrat që ka përdorur si zëdhënës të tij për “Hakmarrjen për Drejtësi” janë të shumtë dhe është normale ta kalojnë numrin e apartamenteve të kullës së projektuar, po i sigurojmë të mos merakosen, as të grinden mes tyre se, duan apo s’duan qeveritarët vendorë e qendrorë, me ndihmën e Saliut do t’ia shtojmë edhe një apo dy kate kullës.

Rasti na kujton fjalët për qoftëlargun, “Djalli s’ka dele, por s’resht së shituri lesh”.

 

Leart Shyti/Orik Shyti

Shënim: Ardhur në adresën elektronike të ResPublica

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.