Robert Bisha, një fenomen unikal i xhazit shqiptar
Një artist i madh shqiptar është shfaqur tashmë në skenën e muzikës xhaz. Robert Bisha është një artist i ri, i cili po ngjitet me shpejtësi në nivele të larta të xhazit eksperimental në botë. Ai ka luajtur në disa skena në Itali dhe vende të tjera, ku ka arritur sukses të admirueshëm, ndërsa projekte të reja të paraqitura e shfaqin atë një artist me potencial për të mbërritur në nivele ku nuk është afruar asnjë shqiptar deri më tani. Muzika e tij ka gjithçka për një artist të kompletuar, të aftë të konkurojë në çdo skenë në Europë: risitë, virtuozitetin në instrumente, kompozicionin dhe ndjeshmërinë që përcjell. Koncerti i fundit i mbajtur prej tij në Teatrin e Metropolit në Tiranë është shfaqja me nivelin më të lartë e prodhuar ndonjëherë në skenat shqiptare. Askush përpara tij nuk ka arritur në nivele të tilla profesionalizmi dhe vlerash artistike, gjë që premton për një të ardhme të madhe për të si artist.
Koncerti paraqiti një interpretim solo, ku u luajtën pjesë të kompozuara prej tij në disa instrumente. Në një orë e njëzetë minuta, ai luajti në piano, def, udë dhe kitarë elektrike në një nivel të tillë interpretimi dhe kompozimi që ta bën të pamundur të zbulosh se cili është instrumenti i tij bazë. Përveç kësaj, virtuoziteti interpretativ të krijon idenë se po luan një orkestër dhe jo një person i vetëm. Shpërndarja e tingujve në regjistra të ndryshëm ofron një dinamikë të jashtëzakonshme që nuk të bën të ndjesh nevojë për instrumente shoqërues. Ndërkohë risitë eksperimentale, ku interpretimi përfshin dhe mjete e objekte jomuzikore për të prodhuar tinguj muzikorë, shfaqet në nivele të habitshme. Me një piano Bisha mund të krikojë tinguj sa për një orkestër të tërë, siç vepron me vendosjen e objekteve metalike mbi telat në pjesën e brendshme të pianos, duke prodhuar tinguj të ndryshëm në pjesë të ndryshme të tastjerës, që të bënin të mendojse se po luan njëkohësisht një piano dhe një kitarë.
Robert Bisha arriti të lëvrojë brenda një koncerti një ndërthurje dhe harmonizim të shkëlqyer të xhazit eksperimental, muzikës
klasike dhe folklorit shqiptar. Pjesët e kompozuara prej tij, jo vetëm mbështeteshin në folk, por u shoqëruan në disa raste edhe nga zëra polifonikë të interpretuara prej grupit Albanian Iso-Polyphonic Choir. Miksimi nuk ishte një sajesë eksperimentale skematike, siç i ndeshim rëndom në mjaft raste në skenat shqiptare dhe të huaja, por një produkt artistik i integruar në mënyrë të shkëlqyer me mjaft identitet, i cili arrin të komunikojë në mënyrë të jashtëzakonshme me ndjesitë dhe shijet e publikut. Autori arrin ta bëjë polifoninë të flasë në gjuhën e kulturës modern, pa asnjë lloj sforcimi duke akomoduar në mënyrë krejt të natyrshme gjithçka me rrënjët tona kulturore.
Ai nuk huazon motive shqiptare thjesht se janë të bukura e do ia zbukurojnë pjesën muzikore. Ai nuk “zhvat” përkundrazi komunikon me motivin tradicional muzikor, e trajton atë me respekt dhe përpiqet të zhvillojë muzikën e tij bazuar tek frymëzimi që gjen në të. Ja pse në pjesët e tij tranzicioni nga motivi i njohur te krijimi ri është i lëmuar dhe duket se vjen krejt natyrshëm, pa thyerje e vrasje veshi. Një mënyrë e tillë trajtimi të kujton poetet klasikë kinezë, poezitë e të cilëve ishin një lloj komunikimi me brezat e mëparshëm dhe krijimet e tyre. Në mënyrë të ngjashme, Bisha nuk e percepton muzikën e traditës si një gjë që është aty e duhet përdorur ose duhet flakur. Përkundrazi, ai e sheh atë si një pjesë të vetvetes të cilën duhet ta kuptojë, zbërthejë e më tutje ta zhvillojë së bashku me veten e tij. Ja pse muzika e tij që të jep përshtypjen e një komunikimi me traditën ngelet në të njëjtën kohë një komunikim me vetveten. Dhe ç’është më e bukura ky komunikim ka gjasa të vazhdojë në vitet në vijim. Për të mirën e muzikës dhe të publikut.
"Postbllok.com"
Add new comment