Vendosmëria e të pavendosurve, kujt do t'i mbetet në derë reforma në drejtësi?

Postuar në 13 Prill, 2016 22:19

Duke kuptuar se koha po kalon dhe reforma në drejtësi po kthehet në një prolog deklaratash pa produkt, socialistët bënë një lëvizje të sforcuar me Fatmir Xhafën për të treguar se partia që udhëheq koalicioin e majtë është e vendosur për të plotësuar një imperativ të shqiptarëve siç është reforma në drejtësi. E ndërgjegjshme se nuk ka fuqinë dhe aftësinë të bëjë marrëveshjen e madhe, PS bën një shkrepje bosh si për të larë duart para shqiptarëve, se ajo ka vullnetin për këtë reformë dhe do bëjë atë që i takon qoftë edhe formalisht për t'ia lënë në derë parlamentit vendimin dhe përgjegjësinë.
"Shqiptarët çdo ditë e më shumë kanë kuptuar sepse e ndjejnë fort në jetën e tyre të përditshme, nevojën që ka reformimi rrënjësor i sistemit të drejtësisë. Ne sot kemi arritur në një moment shumë delikat. Reforma është në hapat e saj të fundit dhe kërkon padyshim një përgjigje në përputhje me interesat e vendit dhe të qytetarëve shqiptarë. Kjo është arsyeja që nuk ka nevojë për shumë negociata, por ka nevojë për më shumë vendimmarrje"- deklaroi Fatmir Xhafa në cilësinë e kryetarit të Komisionit të Posaçëm të Reformës në Drejtësi. Të tilla dalje çuditërisht janë të personalizuara, pa aleatin LSI që në fushata e mitingje shfaqet si mish e thua, sepse përveçse faktik që nuk ka konsensus me opozitën, Rama nuk ka gjetur dakordësinë as me Ilir Metën. Lëzizjet e maxhorancës socialiste janë lehtësisht të lexueshme për opozitën që pavarësisht vullnetit për ta votuar ose jo reformën, ka përballë një lojtar të dobët që fut ujë nga të gjitha anët, duke marrë goditje që turllosin raportin e saj me drejtësinë. Refuzimi për të dërguar mandatet e deputëve Leskaj e Suli në Kushtetuese janë rastet më flagrante, duke i dhënë ushqim opozitës për të fituar epërsi në garën e përshtypjeve dhe shahun politik. Pavarësisht 1milionë votave, Edi Rama ka ngrënë disa shuplaka nga Lulzim Basha, ku më djegësja dhe më poshtëruesja ka qenë ajo për dekriminalizimin.
Dhe nëse parlamenti do të jetë i paaftë, atëherë ka një zgjidhje tjetër për Partinë Socialiste, t'ia lerë në dorë popullit reformën në drejtësi duke hequr çdo përgjegjësi politike për dështimin në gjetjen e konsensusit. "Nëse ligjvënësi me vullnet do ta çmojë se është e domosdoshme për ta çuar projektin kushtetues në një referendum popullor, kjo do të ishte padyshim e mirëpritur. Këtë nuk është se e them unë, këtë e kanë thënë dhe qytetarët shqiptarë në sondazh, mbi 80 për qind e qytetarëve besojnë"-shtoi Xhafa në daljen e fundit për mediat, duke i hequr vetes dhe PS barrën e rëndë të dështimit të parathënë të reformës në drejtësi.
l.m

Comments

Submitted by symadhi (not verified) on

Nje ore e me pare, te behet referendumi mbare popullor e te miratohet reforma ne drejtesi.
Po priti maxhoranca, sa t'i mbushet mendja opozites, kjo reforme nuk behet kurre.
Asnje hajdut dhe kriminel, nuk eshte i gatshem te shkoje ne burg me kembet e veta.
Vetem me referendum.
O burra.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.