"I ashtuquajturi gisht i mesit" - nuk është ashtu siç duket

Postuar në 11 Mars, 2016 19:50

Dje mediat kapën këtë moment nga punimet në parlament: http://www.respublica.al/2016/03/10/fotolajmmbi-etikën-parlamentare. Edhe video që u publikua krahas fotos shfaq deputetin Kokëdhima duke i treguar gishtin e mesit folësit, që në këtë rast është Sali Berisha. Meqenëse ky gjest e zbuloi Kokëdhimën në një shfaqje që nuk ishte parë herë tjetër, ai nuk ka lënë shije të mirë. Mirëpo në veprim është hedhur gazeta "Shekulli", që posedohet nga Kokëdhima, e cila bën komentin e vet për foton, gjithë duke sqaruar mediat e tjera sesi është e vërteta. Ndoshta i duhet besuar, pasi ndodh jo rrallë që sytë e keqdashjes, që karakterizon gazetarët, të shohin një gjë, kur është një gjë krejt tjetër. Plus nuk duhet harruar: "Shekulli" shkruan bazuar në burimet nga gishti direkt. Duket se korrigjimi i ka lënë vendin korrektimit të medias, qoftë si qeveri, qoftë si gazetari politike.

Ja interpretimi: "Një video e shpërndarë nga televizioni “Report TV” tregon të vërtetën për të ashtuquajturin “gisht” të mesit për të cilin u tha në të gjitha mediat se, deputeti socialist Koço Kokëdhima ia kishte treguar ish-kryeministrit Sali Berisha. Në filmimin 15 sekonda tregohet qartë se deputeti socialist po bënte gjestikulacione normale për një qenie njerëzore, kur me dorën e majtë dhe me gishtin e mesit të ngritur ai fërkon mjekrën, prek syzet dhe veshin majtë. Në atë moment nuk ka qenë në foltore Berisha, që deshi të fliste për replikë pas fjalimit të Kokëdhimës, por që nuk u lejua nga kreu i Kuvendit, Ilir Meta, sepse binte ndesh me rregulloren e Kuvendit dhe duhej kaluar në votimin e projektligjeve që ishin në rendin e ditës. Na fakt, gjatë kohës që Berisha ngulmonte që të merrte fjalën në foltore, deputeti Kokëdhima qëndronte në këmbë dhe jo ulur, ndryshe nga sa u pretendua në videot dhe në fotot e shpërndara me “gishtin” e mesit të ngritur"(http://www.shekulli.com.al/p.php?id=400518).

Pikëpyetje të shumta lindin nga ky intepretim. P.sh çfarë simptomash përfaqëson vënia në punë e gishtit të mesit, ndërkohë që siç shihet nga pamjet gishtat e tjerë Kokëdhima i ka të lirë? Çfarë pune është të ngresh gishtin e mesit lart kot, me koefiçent fërkimi zero, pra pa prekur hundën, apo ndonjë gjë tjetër? Kemi të bëjmë me tik nervor, me një refleks të ushtrimit të përditshëm para pasqyrës të politikanit populist, apo mos vallë gishti i mesit është shenja e re e socialistëve të statutit të ri? Dilemat janë të mëdha, por duke qenë se aty afër ka qenë Blerina Gjylameti, edhe shpresa se e vërteta do të dalë një ditë, mbetet.

Shaptilografisti

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.