Gensher, diplomaci për paqen, por edhe Europën

Postuar në 02 Prill, 2016 00:08

Dje u njoftua vdekja e ish-ministrit të Jashtëm të Gjermanisë Federale, Hans Ditrih Gensher. Ai ka një rol edhe në hapjen e Shqipërisë pas vitit 1990, asistimin e saj në një situatë të vështirë. Më poshtë po përcjellim një bisedë mes tij dhe Mikhail Gorbaçovit(botuar edhe më parë), drejtues i Bashkimit Sovjetik, zhvilluar në dhjetor të vitit 1989. Takimi është zhvilluar dy ditë pas Samitit të Maltës dhe aty ka asistuar edhe ish-ministri i Jashtëm sovjetik, Eduard Shevarnaxe. Gensher ndodhet në një pozitë mbrojtëse kur detyrohet të mbrojë 10 pikat e kancelarit Kohl, ku flitej për marrëdhëniet RFGJ-RDGJ, që shihen me shqetësim në Kremlin, ndonëse në fund lideri sovjetik i shpreh konsideratën e tij.

 

Regjistrim i bisedës mes Mikhail

Gorbaçovit dhe Hans Ditrih Gensherit

5 Dhjetor 1989

Gorbaçov:  Më duhet t’ua them drejtpërdrejt-unë nuk mund ta kuptoj Kancelarin Kohl i cili foli për 10 pikat e tij të famshme të cilat lidhen me shqetësimet që RFGJ(Republika Federale e Gjermanisë) ka në raport me RDGJ-në(Republika Demokratike e Gjermanisë). Duhet të deklarohet menjëherë se ato janë ultimatume që i bëhen një shteti sovran dhe të pavarur gjerman. Meqë ra fjala, edhe pse ai vetëm sa e përmendi RDGJ-në, ajo çfarë kancelari përmendi na shqetëson të gjithëve.

Së pari, këto 10 pika, u shfaqën pasi ne patëm një shkëmbim pozitiv dhe konstruktiv opinionesh dhe pasi ne arritëm në marrëveshje mbi një sërë çështjesh fondamentale. Ju duhet ta mendonit se ai duhet ta prezantonte atë lloj dokumenti vetëm pas konsultimesh të vërteta me partnerët. Apo ndoshta kancelari federal mendon se ai nuk ka më nevojë për ta? Ai ndoshta që tani mendon se muzika e tij po luan një marsh dhe se ai vetë po marshon sipas ritmit të saj. Unë nuk mendoj se hapa të tillë do të kontribuojnë në forcimin e besimit dhe mirëkuptimit reciprok, apo në përmbushjen e marrëveshjeve tona. Për çfarë lloj ndërtimi të Europës mund të flasë dikush që vepron në këtë mënyrë? Ju e dini që unë fola me kancelarin Kohl në telefon. I thashë atij se RDGJ-ja është një faktor, jo vetëm në politikën europiane, por edhe atë botërore dhe se të dy bashkë, Lindja dhe Perëndimi duhet që me kujdes të ndjekin çdo zhvillim që po zë vend aty. Kohl ra dakord me këtë gjë; ai siguroi se RFGJ-ja nuk synon të destabilizojë RDGJ-në dhe se do të veprojnë në mënyrë të balancuar. Gjithsesi, hapat e tij praktikë i devijojnë këtyre garancive që na dha. I thashë Kohlit se RDGJ-ja është një partner i rëndësishëm dhe aleat i Bashkimit Sovjetik. Ne jemi gjithashtu të interesuar në zhvillimin e marrëdhënieve me RFGJ-në. Ky është një trekëndësh që luan një rol të veçantë në zhvillimin europian dhe atë botëror. Çdo gjë duhet të balancohet me kujdes brenda këtij trekëndëshi. Kurse tani, ai po lëshon një ultimatum. Ai po jep direktiva për rrugën që duhet të ndjekë RDGJ-ja, çfarë strukturash duhet të krijojë ajo. Lidershipi gjermanoperëndimor është thjesht duke shpërthyer nga dëshira për të komanduar dhe më lejoni t’ju siguroj juve se –çdokush mund ta kuptojë këtë gjë. Mos ndoshta është Bushi që po e nxeh situatën? Sërish ju duhet të kuptoni veprimet tuaja, duhet të mendoni 3-4-5 lëvizje më tej, të parashikoni se çfarë pasojash ato shkaktojnë.

{…} Dje, Kancelari Kohl, pa e vrarë shumë mendjen, deklaroi se Presidenti Bush e mbështeti idenë e konfederimit. Çfarë vjen pas kësaj? Cili është kuptimi i Konfederatës? Konfederata, presupozon një mbrojtje të përbashkët dhe një politikë të përbashkët të Jashtme. Ku do ta vendosë veten RFGJ-ja në këtë moment: në NATO apo në Traktatin e Varshavës? Apo mos vallë do të shpallet neutrale? Dhe çfarë kuptimi ka NATO pa RFGJ-në? Në fund, çfarë do të pasojë? A keni menduar për të gjitha këto? Çfarë do të ndodhë me marrëveshjet ekzistuese mes nesh? Ju e quani këtë politikë?

Shevarnaxe:  Sot ju ndiqni këtë stil me RDGJ-në, nesër ju mundet edhe ta aplikoni atë me Poloninë, Çekosllovakinë dhe më tej me Austrinë.

Gorbaçov: Me gjithë përgjegjësinë time mund t’iu them se ju nuk keni demonstruar stilin më të mirë të politikës; ju nuk po diferenconi pozicionin tuaj me atë të Kohlit. Në çdo rast, unë nuk mund ta quaj atë një politikan të përgjegjshëm dhe të parashikueshëm.

Gensher: {….} Në prag të udhëtimit tim për në Moskë, unë fola me kancelarin Kohl në Bruksel.  Deklarata e tij e 10 pikave nuk përfaqëson një skemë për masa urgjente, ajo përkufizon perspektivën afatgjatë. RDGJ-ja do të vendosë vetë se kur do t’i përgjigjet propozimit të tij. Ne jemi të interesuar në stabilitetin e brendshëm të RDGJ-së. Ne besojmë se me deklaratën e tij, kancelari federal kontribuoi në forcimin e këtij stabiliteti. Nuk kishte direktiva dhe ultimatume në atë deklaratë. Ne e dimë se as Polonia apo Hungaria kanë këtë përshtypje. Këto 10 pika dhe politika jonë, mbështeten nga të gjitha partitë e përfaqësuara në Bundestag, përfshirë edhe socialdemokratët. Në të njëjtën kohë, ne e shkëpusim veten tonë nga problemet e brendshme të RDGJ-së, për të cilat RFGJ-ja nuk mban asnjë përgjegjësi.

Gorbaçov:  Nuk mund të parashikoja se ju do të merrnit rolin e avokatit mbrojtës të kancelarit federal Kohl.  Le të marrim pikën e tretë të deklaratës së tij. Ai foli për “zgjerimin domethënës të ndihmës dhe bashkëpunimit tonë, nëse RDGJ-ja ndërmerr ndryshimet bazike të nevojshme në sistemin e vet ekonomik dhe politik”, dhe nëse lidershipi shtetëror i RDGJ-së arrin në marrëveshje me “grupet opozitare”, dhe nëse RDGJ-ja ndjek këtë kurs në mënyrë të pakthyeshme. Çfarë emri i vini ju kësaj, përveçse atë të një ndërhyrjeje të vrazhdë në punët e brendshme të një shteti sovran?

Shevarnaxe(ministër i Jashtëm i BS-së):  Edhe Hitleri nuk ia lejoi vetes një gjë të tillë.

Gorbaçov:  Më shumë se kaq, kancelari Kohl kërkon që Partia e Bashkuar Socialiste e Gjermanisë të heqë dorë nga monopoli i saj i pushtetit. Ai flet për nevojën e shfuqizimit të “ekonomisë burokratike të planifikuar”. Përmirësimi ekonomik sipas tij, mund të arrihet vetëm kur RDGJ-ja të hapë dyert për investimet perëndimore, të krijojë kushte për një ekonomi tregu dhe të sigurojë mundësi për sipërmarrjet private. Unë mendoj se RDGJ-ja ka nevojë të ndërmarrë reforma fondamentale. Gjithsesi, kjo është çështje e tyre e brendshme. Kancelari Kohl, ndërkohë, në esencë, po i trajton qytetarët e RDGJ-së si subjekte të tijat. Ky është thjesht një revanshizëm megaloman, i cili fshin gjithçka nga sigurimet e tij dhe i vë të gjitha marrëveshjet që kemi arritur në pikëpyetje.

Gensher:  Do të doja të tërhiqja vëmendjen tuaj në pikën 2, kur thuhet se qeveria federale e RFGJ-së, do të preferonte të zgjeronte bashkëpunimin me RDGJ-në në bazë të parimit të barazisë në të gjitha sferat.

Gorbaçov:  Boll e mbrojtët atë, z. Gensher! Pika 2 është tërësisht e zhvlerësuar nga pika 3. Në Rusinë Cariste, kur një i burgosur politik lirohej, i thuhej se ai mund të jetonte ku të dëshironte, përveçse në 18 vende. Dhe asokohe kishte vetëm 18 rajone në Rusinë Cariste. Ku mendoni Ju se ai mund të jetonte? Është e njëjta gjë edhe me këtë deklaratë.

Gensher:  Kjo nuk është kështu…

Gorbaçov:  Deklarata e Kancelarit është një gabim trashanik politik. Ne nuk mundet thjesht të bëjmë sikur nuk e vëmë re. Ne nuk jemi të prirur që të bëjmë lojëra diplomatike me ju. Nëse dëshironi të bashkëpunoni, ne jemi të gatshëm. Nëse jo, ne do të nxjerrim konkluzionet tona politike. Po ju kërkoj që t’i merrni këto që sapo thashë seriozisht.

Gensher:  Unë po flas seriozisht. Nuk ka kushte në 10 pikat. Ato janë thjesht sugjerime dhe RDGJ-ja duhet të vendosë nëse ato janë të përshtatshme apo jo.

Gorbaçov:  Atëherë kjo është më shumë sesa një ultimatum. Duke gjykuar nga e gjitha kjo, ju keni përgatitur një funeral për procesin europian, veçanërisht me këtë formë veprimi që keni ndërmarrë.

Gensher:  Nuk është ashtu. Unë jam i mendimit që duhet folur hapur. Ju nuk duhet t’i interpretoni pikat 2 dhe 3 në këtë mënyrë. Unë nuk do të doja të akuzohesha për mungesë të vullnetit të mirë. RFGJ-ja nuk synon të interferojë në punët e brendshme të askujt.

Gorbaçov:  Ne mendojmë se ndryshimet në RDGJ janë të mira, por ju duhet të mos ndërhyni me asnjë lloj këshille apo instruktimi.

Gensher:  Ne i respektojmë këto ndryshime.

Gorbaçov:  Po flas për RFGJ-në tani. Ka pak konfuzion në mendjet e (njerëzve) aty, një rrëmujë. Mund të mendohet se disa njerëz gati po shpërthejnë nga ajo çfarë po ndodh. Disa njerëz po humbasin mendjen dhe nuk po shohin asgjë ç’po ngjet rreth tyre. Një politikë pa tru, nuk është politikë. Në këtë mënyrë ju mund të prishni çdo gjë që kemi arritur së bashku. Gjermanët janë popull emocional, por ju jeni gjithashtu edhe filozofë. Ju duhet të kujtoheni se ku ju ka çuar politika pa kokë në të shkuarën.

Gensher:  Ne jemi të vetëdijshëm për gabimet tona historike dhe nuk do t’i përsërisim ato. Proceset që po zhvillohen tani në RDGJ dhe në RFGJ nuk meritojnë një gjykim kaq të ashpër. {…}

Gorbaçov:  Pra shkurt, ju doni të thoni që ju po veproni me korrektesë dhe përgjegjshmëri. Kështu e kuptoj unë përgjigjen tuaj. Do të doja të theksoja edhe njëherë se ne i kushtojmë vëmendje të posaçme asaj që po ndodh dhe se ne do të monitorojmë çdo gjë me shumë kujdes.

Gensher:  Po, politika e qeverisë federale është e përgjegjshme dhe e parashikueshme; përndryshe unë nuk do të kisha se çfarë të thosha.

Gorbaçov:  Nuk po flas tani për politikën tuaj në tërësi, por vetëm për 10 pikat. Çdokush mund të shohë se kancelari Kohl po nxiton, se ai po i stimulon artificialisht ngjarjet dhe duke bërë kështu, ai po minon procesin europian, i cili është zhvilluar me kaq shumë vështirësi. Si mundet vallë t’i shkojë atij në mendje se ne nuk jemi të aftë të ndërtojmë një gjykim të ftohtë rreth sjelljes së tij?

Gensher: Unë e thashë edhe më parë se ju nuk duhet t’i dramatizoni ngjarjet. {…}

Gorbaçov: {…} Meqë ra fjala, mua më duket, z. Gensher, se ju mësuat për 10 pikat vetëm nga fjalimi në Bundestag.

Gensher:  Po, kjo është e vërtetë, por kjo është një çështje e jona e brendshme. Ne do të merremi vetë me të.

Gorbaçov:  Mund ta vini re se çështja juaj e brendshme po shqetëson të gjithë.  Por çështja kryesore është ne e kuptuam njëri-tjetrin.

Mua më duket se Ju jeni i kënaqur me atë se çfarë ne do të deklarojmë për shtypin. Sot, ne ende po flasim kështu. Gjithsesi fiksojeni, se nëse dikush në vendin tuaj nuk ftillohet, nesër ne do të bëjmë një deklaratë tjetër.

Gensher:  Më lejoni t’iu siguroj se ne do të adoptojmë qasjen më të përgjegjshme. Ju lutem, mos mendoni se nuk e kam seriozisht atë që po ju them.

Gorbaçov:  Mos e merrni çdo gjë që ju thashë personalisht, z. Gensher. Ju e dini se ne mendojmë ndryshe për Ju në raport me atë që mendojmë për të tjerë. Shpresojmë që Ju keni kuptuar çdo gjë në mënyrë korrekte. Ju faleminderit për bisedën!

Burimi origjinal: Arkivi i Fondacionit “Gorbaçov”, Dokumenti nr. 5

Marrë nga: National Security Archive(http://nsarchive.gëu.edu)

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.