Fjalë të mira për partinë edhe nga të dëbuarit
Arben Malaj ka dhënë sot një intervistë për gazetën “Panorama” ku prononcohet për debatet në Partinë Socialiste, për vendimet e Kongresit, referendumin dhe çështjen e zgjedhjeve. Thotë Malaj: “Referendumi ka legjitimitetin e votës mbështetëse të Kongresit. Ballafaqimi i alternativave për të cilat do të votohet nuk duhet të jetë një luftë e përditshme mediatike. Aksesi mediatik i Kongresit, si edhe diskutimet dhe debatet televizive rreth tij kanë krijuar mundësinë që votuesit të jenë të informuar për argumentet pro dhe kundër. Kjo mund t’i shërbejë një procesi votimi dhe certifikim rezultati sa më të qetë”, thotë Malaj. Më tej edhe një leksion për cilësinë e debateve në PS, për të cilat ish-deputeti socialist, i përjashtuar nga përfshirja në lista për shkak të një vendimi të ekipit drejtues të partisë, vlerëson se janë dinamike: “Historia e debateve në PS është dinamike. Platformat alternative duhet të mos dëmtohen nga debatet ku dominon tensionimi që ushqen kriza permanente. Pas përfundimit të Kongresit dhe përballë zgjedhjeve parlamentare, ndoshta ka akoma hapësira për të trajtuar opsionet që mund të reduktojnë kostot e zhvillimeve aktuale mbi qeverisjen e vendit dhe në zgjedhjet e ardhshme parlamentare”, ka thënë Malaj. Ironike që një njeri si ish-deputeti flet për dinamikë debatesh, kur e ashtuquajtur platformë e tij e dikurshme, nuk u përfill. Po kështu, Malaj kandidoi për deputet në Vlorë jashtë siglës së PS-së, pasi e nxorën jashtë liste, ndërkohë që sot vlerëson frymën partiake. Ky është ilustrimi i duhur për të kuptuar se çfarë do të thotë të jesh socialist i tipit shqiptar, përmbledhur qartë në thënien e Kongresit: Partia pastaj Shqipëria.
Add new comment