Politikanët dhe gjyqtarët të mos gëzojnë parashkrim në Kodin Penal

Postuar në 24 Mars, 2016 15:35
Genc Burimi

Të hiqen afatet ligjore për mos ndjekjen penale të politikanëve dhe gjyqtarëve ! Të dashur lexues, ju që votoni, ju bëj këtu një konstatim të thjeshtë mbi fiaskon e reformës së drejtësisë dhe një propozim serioz. Reforma në drejtësi po shkon drejt kalendave greke. Konsensusi i sapoarritur mbi hapjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit është një farsë. Kjo Byro do të varet nga Prokurori i Përgjithshëm, i cili vetë varet nga Presidenti. Ky aktuali varet nga PD-ja. Të krijosh një Byro Kombëtare Hetimi pa reformuar me rrënjë drejtesinë, është si të vësh një dhëmb floriri në një gojë të qelbur. Me kryeprokurorin aktual asnjë peshkaqen nuk ka rënë në rrjetë. As me të kaluarit. Pse do të ndodhë ndryshe me Byronë Kombëtare të Hetimit kur sërish “çelësat e makinës” do t’i ketë i njëjti Kryeprokuror ? Nga ngërçi i reformës në drejtësi dilet vetëm me zgjedhjet e 2017-ës. Nëse një parti/koalicion fiton shumicën absolute (2/3 vendeve në Kuvend) ajo e ndryshon kushtetutën (neni 177) dhe e miraton reformën në drejtësi. Pa rënë në dorë të opozitës. Çdo skenar tjetër është fantazi. Por dhe në 2017, nuk ka as më të voglën garanci që dyshja PS/LSI te fitojë dy të tretat e Parlamentit. Dhe aq më pak një koalicion i djathtë. Pa 2/3 në Kuvend, s’ka reformë drejtësie as më 2017, as më 2021 e kështu pa pushim…

Ateherë, zgjidhja e vetme e çastit është një reformë minimale por shpresëdhënëse për drejtësi. Të hiqet nga Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë “Parashkrimi i ndjekjes penale” për politikanët (të zgjedhurit dhe ministrat) si dhe për punonjësit e sistemit të drejtësisë. Parashkrimi, një e drejtë njeriu, është në realitet krimi më i madh që i bëhet një populli kur ky vidhet dhe vritet nga ata që ai i ka votëbesuar. Përkthyer ne shqip, parashkrimi në Kodin Penal do të thotë që nëse kalon një afat i parashikuar, një person i shpëton përjetë procesit gjyqësor dhe dënimit, edhe sikur ai të ketë kryer krime tepër të rënda (përveç krimeve të luftës dhe kundër njerëzimit). Sipas Kodit tone penal afatet përtej të cilave një dosje mbyllet vetvetiu janë : mbas 20 vjetesh – kur krimi « vlen » mbi 10 vjet burgim; mbas 10 vjetësh – për krimet nga 5 deri 10 vjet burgim; mbas 5 vjetësh - për krimet që parashikojnë dënim gjer në pesë vjet burgim. Konkretisht, duke filluar nga viti i ardhshëm, më 2017, zoti Berisha nuk mund të gjykohet kurrë më për mynxyrën e piramidave financiare të 1997 ku qindra vetë humbën jetën, pasi 20 vite do të kenë kaluar. E keshtu me rradhë do të shuhen dosjet e viktimave të Otrantos, të Gërdecit, të 21 janarit, të korrupsionit me rrugën e Kombit etj, etj. Nuk ka tradhëti më e madhe që po i bëhet kështu këtij populli nga ata vetë që janë të supozuar t’ua mbrojnë interesat.

Për këtë arsye i kërkoj me solemnitet mazhorancës dhe opozitës (por vetëm vota e mazhorancës do të mjaftonte në këtë) , ia kërkoj po ashtu ambasadorit amerikan dhe ambasadoreshës së BE-së të influencojnë që të ndryshojë pa humbur dhe më shumë kohë neni 67 i Kodit Penal. Aktualisht aty shkruhet : “Nuk i nënshtrohen parashkrimit të ndjekjes penale krimet e luftës dhe ato kundër njerëzimit”. Të shtohen në këtë nen fjalët “si edhe krimet e kryera nga të zgjedhurit, nga ata që mbajnë apo kanë mbajtur poste të larta shtetërore, nga ata që mbajnë apo kanë mbajtur poste në të gjitha hallkat e sistemit të drejtesisë”. Kërkoj pra një garanci ligjore për shqiptarët që kjo kategori shqiptarësh me poste të larta të mos shpresojë kurrë se mund t’i shpëtojë një ditë ligjit duke u fshehur pas parashkrimeve të Kodit aktual Penal. T’u hiqet këtyre njerëzve një herë e përgjithmonë tundimi se edhe po të tallen me reformën në drejtësi për shumë vite të tjera siç e kanë nisur, nuk kanë për t’i shpëtuar rrufesë së drejtësisë. Drejtësia është arma e më të dobëtit. Shqiptarët kanë më nevojë për të se kushdo tjetër !

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.