Të gjithë e dinin për fabrikën e Gërdecit. Procesverbali i mbledhjes së qeverisë më 2007, zbulon se Berisha kishte dijeni të plotë
Gazeta “Tema” publikon sot faksimile të mbledhjes së qeverisë të datës 17 shkurt 2007, ku përcillet diskutimi për miratimin e një VKM-je për kontratën e demontimit të muncioneve në Gërdec. Në procesverbal bie në sy kundërshtimi i ish-ministrit të Financave Ridvan Bode, qëndrimi kërkues pro kontratës i ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu dhe qëndrimi i kujdesshëm i ish-kryeministrit Sali Berisha. Bode ka kërkuar tender dhe jo lidhje direkte të kontratës, ish-ministri i Drejtësisë Ilir Rusmali, që kundërshton disa praktika që synohen të vihen në punë nga Berisha. Materiali ka interes, pasi zbulon se fabrika e Gërdecit është iniciuar në nivelin më të lartë politik dhe e nxjerr zbuluar ish-kryeministrin Sali Berisha, i cili pas shpërthimit të 15 marsit 2008, deklaroi se “hera e parë që dëgjova për Gërdecin ishte kur ndodhi shpërthimi”. Kjo vështirë të mbrohet më si tezë, qoftë edhe duke lexuar se ngritja e fabrikës nga Fatmir Mediu justifikohet me detyrimet e demontimit që burojnë nga angazhimi për anëtarësim në NATO. VKM-ja nuk u miratua, por duket se u gjetën rrugë të tjera, të cilat shmangën kriteret e sigurisë dhe çuan aty ku çuan.
Add new comment