“Ajo që ndodhi në Elbasan nuk i bën nder PS-së”
Servet Pëllumbi, një ish-drejtues i Partisë Socialiste ka bërë sot në gazetën “Panorama” disa komente për atë që ndodhi në takimin e Elbasanit me deputetin Ben Blushi. “Në këndvështrimin tim, ajo që ndodhi në takimin e Elbasanit nuk duhet të ndodhte, më ka lënë një shije jo të mirë, sepse Partia Socialiste njihet për demokracinë e brendshme, mendimin ndryshe dhe tolerancën ndaj mendimit ndryshe. Kështu që në rastin konkret, përderisa Blushi është afishuar si një alternativë tjetër në PS, kam mendimin se ai duhet të dëgjohej me durim dhe t’i jepej përgjigjja në mënyrën më demokratike të mundshme. Ato acarime nuk i bëjnë nder Partisë Socialiste, sidomos tani në prag të Kongresit. Mendoj se mbase duhet të ndërhynte kryetari në atë situatë, se mbase mund të kishim të bënim edhe me ndonjë provokacion të organizuar. Gjithsesi, mendoj se drejtuesit e mbledhjes duhet ta qetësonin situatën”, u shpreh Pëllumbi. Në takimin e Elbasanit Blushi u sulmua edhe fizikisht, përveç thirrjeve në sallë.
Add new comment