Për çfarë votohet dhe kush voton në Kongresin e 19 Marsit në Partinë Socialiste?

Postuar në 02 Mars, 2016 18:42
Diana Ndrenika

Për çfarë do votohet në Partinë Socialiste të dielën në 19 Mars? Nga ajo çka shihet në media duket se trupa e asaj çka kreu aktual ka vendosur ta quajë PS ( numri i servilëve e rrogëtarëve të momentit i rreshtuar në listat më se fluide e shpesh fiktive të organizatave) do të shkojë në kutinë e votimit me rezultat 99,9% për kryetarin aktual. I ngjan shumë kongreseve të Partisë së Punës ku delegatët plot hare duartrokasin për rikonfirmimin e një lideri të pazëvendësueshëm dhe besimit të verbër në të. Përse ky show? Kujt i nevojitet kjo paradë devocioni te sforcuar? Përse nuk do të ketë votime reale në këtë Kongres?

Personalisht megjithëse kam 9 vjet që bëj pjesë në PS, me tesër anëtarësie e pagesë kuotizacionesh në strukturat qëndrore të saj, nuk jam njoftuar të marr pjesë në asnjë votim nga organizatat ku kam adheruar, punuar apo as edhe ku banoj. Natyrshëm më lind pyetja kush po voton në PS? Kush është përgjegjës për hartimin e listave sipas preferencave të momentit te kryetarit ekzistues dhe favoritëve të tij?

Për fat të keq sot kryetari aktual, herë pompoz e arrogant e herë i lodhur e pa ide nuk frymëzon më askënd. Është larg asaj figure lideri me ide e vizion të kongresit të 2005-ës ku mori votat e mendjes e të zemrës të një pjese të madhe qytetarësh edhe pa parti.
Ca më keq akoma, i ulur në krahun e tij të majtë , gjithherës, kryetari organizativ i përgjumur përveç pranisë fizike që sjell aty nuk ofron gjë tjetër. Eshtë shumë larg përfytyrimit per nje sekretar organizativ, roli i te cilit është të zbulojë e frymezojë burime të reja në parti. Nuk mblodhi, frymëzoi e drejtoi ndonjëherë. Kurrë nuk solli ndonjë ide a vizion të ri për partibërjen. Nuk drejtoi asnjë mbledhje asnjë strukturë, asnjë takim, asnjë punë apo fushatë konkrete. Përse sot ai vazhdon ta mbajë atë vend kur funksionin e punën e tij e bëjnë të tjerë vazhdimisht e tërë kohës? Po për të zëvendësuar atë e të ngjashmit e tij a do të votohet në këtë kongres? Sepse për fat të keq kanë uzurpuar Partinë bashkë me qeverisjen e nuk duan të heqin dorë nga asgjë, të mirat e pushteti që i ndajnë së toku.
I vetëm, Ben Blushi duket se është i gatshëm për të sfiduar kryetarin aktual në një garë demokratike brenda partisë. Një kandidaturë dinjitoze ai prej kohësh është në oponencë me kryetarin aktual, qysh në mosrespektimin e statutit të vitit 2009. Sot ai dëgjohet se ka të drejtë në shumë pika në betejën mediatike që po kryen, për statutin e parespektuar, për mosfunksionimin e demokracisë së brendshme në parti, për mos mbledhjen e forumeve. Statuti është i vjetër, i papasuruar e freskuar me ide të reja funksionimi e veprimi. Një statut që siç e ka treguar përvoja mund të shkelet e mosrespektohet, i kthyer kësisoj në një letër të vdekur pa asnjë vlerë. Organizatat fiktive, e të mbushura me rrogëtarë të momentit.

Atëhere, për cilin votim transparent është krenar Edi Rama, siç u dëgjua të thotë në Dajt, në zonën e tij të banimit siç pretendon?
Votimi për një kandidaturë alternative për kreun e Ps-së si dhe për sekretarët e saj është domosdoshmëri. Në të kundërt PS do të shkojë drejt zgjedhjeve te pergjithshme të 2017-ës ne vend, si një parti pa burime, e shterruar, pa energji e vizion si një parti e xhaketave të vjetra. 
Ben Blushi, një kandidaturë serioze bën mirë të dalë në takime me grupe te ndryshme ne Parti për ti dëgjuar e marrë mbështetjen e firmat e tyre në të drejtën per të kandiduar në këtë kongres . Është e pafalshme që shprehet se për rreth dy vjetësh ka qenë fare pak në Elbasan. Duhet të bëjë takime në Elbasan, Tiranë e kudo në vend për të ringjallur te njerezit e thjeshtë besimin e humbur në burimet e reja e demokracinë në partinë më të madhe në vend.
Përndryshe socialistët që kanë fatin të rreshtohen në databazën e momentit të PS-së do të duartrokasin në 19 mars duke votuar 99.9%për rikonfirmimin e kryetarit aktual dhe shpurës së favoritëve të tij.

 

 

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Me shume se per nje "kongres te partise se punes" sic e cileson autorja, kam pershtypjen se kemi te bejme me nje "kongres" te afirmimit te nje oligarkie fashiste te njeshit, diktatorit qe i del ne mbeshtetje krimit ordiner per qellime pushtetore.
Fakt eshte se Shqiperia eshte kthyer ne nje vend ku po dominojne kriminelet vrases e trafikantet e droges e prostitucionit e jo per ideollogji te majta apo te djathta. Ideollogjine e majte Edi Rama e perdori dhe e perdor vetem per te mashtruar "popullin socialist", kurse veprimet i ka fasjiste te kulluara.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.