Opozita "i bashkohet" edhe protestës së biznesit
Çështja e tarifave të rritura të bashkisë për hapësirat publike që shkaktoi reagimin e biznesit të vogël është e dyta kauzë që opozita po përpiqet ta rrëmbejë për të fituar kredon që e vetme nuk mund ta ketë.
Ndodhi me protestën për këndin e lojrave te Kodrat e Liqenit Artificial, ku pas përmasave që mori reagimi i disa grupimeve të etiketuara si aktivistë të shoqërisë civile, opozita mblodhi aktivistët e saj para bashkisë së Tiranës duke u munduar të mbajë permanent tensionin dhe presionin ndaj kryetarit të bashkisë së Tiranës. Po ndodh edhe me protestën e përfaqësuesve të biznesit të vogël që preket nga ndryshimet e tarifave të hapësirës publike dhe tavolinave të lokaleve. Ndonëse biznesi u imponua dhe arriti të negociojë vetë me kryetarin e bashkisë opozita një ditë më pas, doli për të denoncuar paketën fiskale të bashkisë për të cilën kishte kohë dhe mundësi të maksimalizonte kundërshtitë e saj. Përfaqësuesit e PD në Këshillin Bashkiak të Tiranës kërkuan sot mbledhje urgjente të Këshillit Bashkiak për uljen e taksave, heqjen si antikushtetuese të taksës për arsimin, dhe heqjen e disa tarifave që sipas tyre rrënojnë biznesin e vogël dhe ekononimë familjare në Tiranë.
"Nga takimet që kemi pasur me bizneset, kemi konstatuar dy probleme shumë të mëdha. E para është që atyre u është disafishuar faturimi për hapësirën publike e cila në të gjitha rastet është një vlerë shumë e madhe që e tejkalon madje edhe fitimin e tyre mujor", -theksuan këshilltarët e djathtë të bashkisë.
Add new comment