UKT pranon mbifaturimet e ujit: Jemi sabotuar, printeri u sulmua politikisht
1 mijë e 20 klientë janë mbifaturuar nga Drejtoria e Ujësjellësit të Tiranës për konsumin e muajit Janar. Sipas UKT-së subjektet që janë mbifaturuar janë të pajisur me sahatë matës dhe janë kryesisht farmaci, dyqane rrobash dhe zyra hipotekash. Drejtoria e Ujësjellëit nuk përjashton një gabim njerëzor, por deklaron se gjithçka mund të lidhet me një sabotim për qëllime politike.
"UKT-ja Tiranë deklaron me përgjegjësi të plotë se matjet nga faturuesit janë në rregull, por mbifaturimi është bërë në sistemin e vjetër informatik të ndërmarrjes, nga jashtë, nga persona që kanë mundësi të ndërhyjnë dhe të manipulojnë shifrat.
Nisur nga vlera e papërfillshme e totalit të mbifaturimeve, UKT-ja Tiranë gjykon se veprimi, përveçse një gabim i mundshëm njerëzor, është një akt i qëllimshëm sabotimi, i kryer për të nxirë imazhin e ndërmarrjes që po përpiqet të reformohet, duke përmirësuar shërbimin dhe cilësinë. Synimi i ndërhyrjes së qëllimshme mund të ketë prapavijë politike, ose mund te jete kryer për të goditur ekipin e ri drejtues të ndërmarrjes dhe për hakmarrje ndaj reformës së kryer në UKT-në Tiranë, duke eleminuar strukturat e vjetra abuzive që rëndonin mbi buxhetet e klientëve familjarë të UKT-së, të bizneseve dhe të vetë ndërmarrjes sonë"-thuhet në deklaratën e UKT-së
Add new comment